Enis Gavazaj i Prishtinës drejt transferimit në Dinamo

Futboll 12 Qershor 2021 13:38

Dinamo siguroi rikthimin në elitën e futbollit shqiptar, pas shumë vitesh endjeje nëpër ligat e ulëta, teksa tashmë nën drejtimin e presidentit Ardian Bardhi, ka plane vërtetë ambicioze për t’u përfaqësuar denjësisht edhe në Kategorinë Superiore.

Kështu në pritje të zyrtarizimit të trajnerit të ri, drejtuesit e “nëndetëses blu” kanë arritur marrëveshjen edhe për dy afrime mjaft të bujshme, që do të përforcojnë ndjeshëm skuadrën për sezonin e ardhshëm.

Burime për SuperSport konfirmojnë se kryeqytetasit janë shumë pranë firmës me sulmuesin anësor Enis Gavazaj, i cili ka shkëlqyer më herët me fanellën e Skënderbeut në Kategorinë Superiore, ku është shpallur edhe kampion.

Futbollisti 26-vjeçar nga Zhuri i Prizrenit ka qenë pjesë e Prishtinës në Ipko Superligën e Kosovës sezonin e fundit dhe tani duket se është gati të rikthehet në Superiore, këtë herë për të ndihmuar Dinamon.

Gjithashtu presidenti Bardhi ka gjetur akordin edhe me mbrojtësin Eni Imami, i cili sezonin e fundit bëri një performancë në kufijtë e perfektes me fanellën kuqeblu të Vllaznisë, duke fituar edhe Kupën e Shqipërisë.

Si Gavazaj, ashtu edhe Imami pritet të prezantohen zyrtarisht gjatë javës së ardhshme nga Dinamo, që fillimisht do të bëjë të ditur emrin e trajnerit që do të drejtojë skuadrën për sezonin e ri.

-->