“Është një humbje shumë e dhimbshme duke pasur parasysh lojën që treguam në fushë”/ Dallku i kënaqur me lojën e treguar kundër Gjilanit, por i zhgënjyer me rezultatin

Futboll 24 Shkurt 2022 15:35

Trajneri i Dukagjinit, Armend Dallku ka përgëzuar futbollistët e tij për angazhimin në ndeshjen kundër Gjilanit, por ka shtuar se është i zhgënjyer me rezultatin.

Dukagjini pësoi humbje 2:1 në udhëtim te Gjilani dhe për ekipin nga Klina kjo është humbja e tretë në po aq ndeshje në stinorin pranveror. Të gjithë golat e këtij takimi, u shënuan nga penalltia.

“Është një humbje shumë e dhimbshme duke pasur parasysh lojën që treguam në fushë. Kundërshtari nuk bëri asgjë, përveç dy penalltive.

Ne krijuam raste, qëlluam shtyllën dhe luajtëm shumë mirë. Gradualisht po luajmë mirë dhe jam i lumtur me angazhimin e lojtarëve. I kënaqur me angazhimin por jo edhe me rezultatin, por unë besoj në këtë ekip dhe pres që të kthehemi te rezultatet pozitive.

Po ashtu, edhe fati nuk po është në anën tonë por unë jam optimist i madh se do t’i kthehemi rezultateve pozitive”, është shprehur Dallku.

-->