Eurohandball: Kosova bëri sensacion kundër Polonisë

Kombëtarja 13 Qershor 2019 09:41

Faqja e Federatës Evropiane të Hendbollit ka reaguar për paraqitjen mbreslënëse të Kosovës mbrëmë në Prishtinë.

Polonia ia mohoi Kosovës fitoren e dytë në kualifikime për Kampionatin Evropian të Hendbollit 2020, duke e ndalur me një barazim në sekondat e fundit në ndeshjen e rundit të pestë të Grupit 1 kualifikues, raporton Insporti

Kombëtarja e Kosovës në hendboll barazoi 23:23 me Poloninë fundit në ndeshjen e rundit të pestë të Grupit 1 kualifikues për Kampionatin Evropian 2020.

Në ndeshjen e cila u luajt në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, Kosova po fitonte 23:21 në minutën e fundit të ndeshjes, para se mysafirët të shënonin dy herë.

Për këtë paraqitje mbreslënëse të Kosovës ka shkruar faqja e Federatës Evropiane të Hendbollit (EHF), ‘Eurohandball.com’, përcjell Insproti

Eurohandball shkruan se “sensacioni i radhës nga Kosova erdhi në rundin e pestë të kualifikimeve, ku ekipi i Taip Ramadanit ishte shumë afër fitores së dytë në fazën finale të një kualifikimi në EHF Euro, por Polonia barazoi me fat në sekondat e fundit të ndeshjes.”


Renditja në grupin e Kosovës me rezultatet

“Polonia ishte e tronditur tej mase, por vazhdojnë të kenë fatin në dorën e tyre pasi morën një barazim në Kosovë”, shkruhet në artikull.

“Pasi shënuan dy gola të fundit në 20 sekondëshin e fundit të takimit, përderisa ishin duke humbur 23:21, Polonia nxori një barazim derisa të dyja kombëtaret tani kanë nga tri pikë secila para rundit të fundit të ndeshjeve”.

“Të dielën, Polonisë do t’i duhet të mposhtë Izraelin (që momentalisht ka 4 pikë) në shtëpi të saj, derisa Kosova do të ketë punë shumë të vështirë me Gjermaninë në udhëtim”, shkruan faqja e EHF-së.

“Sonte, ekipi vendas (Kosova) ishte e pakrahasueshme me atë që u mposht 37:13 në Poloni në rundin e parë. Ekipi i Taip Ramadanit qartë është përmirësuar në ndeshjet e fundit, derisa Polonia ishte vetëm një herë në avantazh, kur po udhëhiqte 2:1”.

“Ramadani pa ekipin e tij duke qëndruar të fortë në mbrojtje dhe duke e mbajtur kontrollin e ndeshjes, kryesisht në mesin e pjesës së dytë, kur po udhëhiqnin 20:16 dhe 20:17 – një epërsi deri në minutën 59:59, kur Polonia e barazoi rezultatin”, përfundon shkrimin faqja Eurohandball.

Te Kosova, me nga pesë gola të shënuar më të mirët ishin hendbollistët Valon Dedaj e Enis Kabashi, kurse Michal Potoczny me po aq gola shkëlqeu te Polonia. /Insporti.com/