Evropa “kafshatë e madhe” për klubet shqiptare, Fazliu: Na mungon përvoja

Futboll 03 Gusht 2019 11:44

Sivjet si kurrë më parë në garat evropiane janë paraqitur plot 8 skuadra shqiptare në Ligën e Kampionëve përkatësisht Ligën e Evropës, por për fat të keq të gjitha u eliminuan qysh në ndeshjet e para.

Feronikeli, Shkëndija e Tetovës dhe Partizani i Tiranës, si kampion të Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë ishin kualifikuar për në Ligën e Kampionëve.

“Nikli” luajti në raundin parakualifikuese dhe u kualifikua në raundin e parë por aty dështoi siç dështoi edhe Shkëndija e Partizanit.

Të tri këto skuadra u transferuan në Ligën e Evropës por as aty nuk ia dolën, ngjashëm siç nuk ia dolën në këtë kompeticion as Prishtina, Shkupi, Teuta, Laçi dhe Kukësi.

Për futbollistin e Feronikelit, Astrit Fazliu duhet ende përvojë për garat ndërkombëtare. “Ne jemi të rinj në garat evropiane dhe na duhet ende përvojë. Sa i përket skuadrave tjera është e befasishme sesi asnjë klub shqiptar nuk vazhdoi tutje”, ka thënë Fazliu për Zëri.info.

Të kujtojmë se në të kaluarën klubet shqiptare kanë pasur suksese të mëdha, duke e prekur edhe fazën e grupeve në Ligën e Evropës, siç ishte rasti me Skënderbeun, por ja që në vitet e fundit suksesi nuk është i kënaqshëm.

-->