Evropiani i karatesë mbahet në Serbi – si do të garojë Kosova?

Sporte luftarake 28 Mars 2018 10:33

Pas rasteve të fundit të përfshirjes së politikës serbe në sport dhe anulimit të turneut kualifikues për botërorin U20 në hendboll për femra, e më pas edhe tërheqjes së xhudistëve serbë nga duelet me ata kosovarë në Kupën  e Evropës për Juniorë në Sarajevë, për Serbinë, sportin e këtij shteti dhe marrëdhëniet e Serbisë me Kosovën tashmë është në agjendë një sfidë serioze.

Fjala është Kampionatin Evropian në Karate që do të mbahet në Novi Sad në sallën Spens dhe ku Kosovë është paraparë të marrë pjesë, madje ka edhe favoritë për medalje.

Kampionati është i caktuar për datat 9 – 13 maj dhe Federata e Karatesë e Serbisë ka marrë përsipër organizimin e kësaj ngjarjeje bashkë me të gjitha obligimet përcjellëse përfshi sigurimin e akomodimin e delegacioneve pjesëmarrëse, ekspozimin e flamujve dhe simboleve shtetërore të tyre si dhe nderimin e himneve në ceremonitë e medaljeve.

Meqë simbolet shtetërore dhe paraqitje zyrtare e sportistëve të Kosovës në territorin e Serbisë ishin mollë sherri në këtë fundjavë në hendboll dhe Serbia u ndeshua nga EHF.

Blici i Beogradit nënvizon se “meqë karateja tashmë është sport olimpik, refuzimi ynë që të nderojmë si duhet Kosovën si shtet pjesëmarrës ose refuzimi i dueleve me karateistët kosovarë, mund të rezultojë edhe me përjashtim të sportistëve të Serbisë nga Lojërat Olimpike 2020”.

Po në të njëjtin artikull, Blic pohon se ditëve të ardhshme do të merret një vendim nga Qeveria e Serbisë që ose të heq dorë nga organizimi i këtij kampionati, ose të arrihet ndonjë zgjidhje tjetër për t’iu shmangur dënimeve të rënda që mund të vijnë si pasojë e organizimit të dobët ose refuzimit të luftërave të karateistëve serbë me ata kosovarë.

-->