Fabregas: Me këtë skuadër, Hazardi mund ta fitojë Topin e Artë

Futboll 30 Maj 2019 09:22

Cesc Fabregas ka folur për yllin e Chelseat, Eden Hazard, i cili sipas tij mund të fitojë Topin e Artë pas transferimit te Real Madridi.

Hazard shënoi një dygolësh dhe shtoi një asistim në fitoren e Chelsea 4:1 ndaj Arsenalit në finalen e Ligës së Evropës të mërkurën në mbrëmje.

E tillë ishte cilësia e performancës së tij, dhe sezoni i tij në tërësi, që Fabregas të thotë se belgu mund të fitojë Topin e Artë në Real Madrid, ku ai pritet të transferohet në javët e ardhshme.

“Për fat të keq, unë nuk mendoj se Chelsea në këtë moment mund t’i japë atij atë që meriton”, ka thënë fillimisht Fabregas për BT Sport.

“Për sa i përket potencialit fitues, ai mund të fitojë absolutisht çdo gjë, madje flas edhe për Topin e Artë… E di që ai thotë se nuk ka menduar për këtë, por thellë ai e bën, ai me të vërtetë dëshiron të fitojë Ligën e Kampionëve”.

“Mendoj se aktualisht ka një limit te Chelsea dhe ai mund të shkojë shumë më lart se ky limit në një klub si Real Madridi, sepse këto klube – Real Madridi, Barcelona, tani Manchester City, Bayern Munich – gjithmonë kthehen”.

“Ata patën një sezon të tmerrshëm te Real Madridi, por do të kthehen. Nuk ka dyshim për këtë”, përfundoi mesfushori spanjoll.