FASK-u shpalli më të mirët, auto sporti po bën revolucion

FASK 08 Shkurt 2020 22:19

Traditën për shpalljen e më të mirëve të vitit e ka vazhduar edhe Federata e Auto Sportit e Kosovës. Viti 2019 u vlerësua si shumë i sukseeshëm, pavarësisht problemeve dhe sfidat me të cilat FASK dhe garuesit u përballën.

Bardhyl Canolli në disiplinën auto sllallom dhe atë malore, Blerta Bytyqi në auto sllallom në konkurencën e femrave dhe Skender Potera në drag ishin ata që dominuan gjatë vitit që shkoi, ndërsa pati edhe shumë garues të rinj, risi dhe zhvillime interesante.

“Vetë pjesëmarrja në gara të automobilizëm është sfidë e madhe, sepse dihet që është një sport, i cili përveç se në aspektin financiar, kërkon edhe angazhim të madh, guxim dhe kohë. Sigurisht që jam i kënaqur me sukseset e arritura gjatë vitit 2019, por për të arritur deri këtu nuk ka qenë aspak lehtë. Po ashtu, duhet theksuar se gjatë vitit që shkoi paraqitje të mira kam pasur edhe në arenën ndërkombëtare”, ka thënë Canolli.

Në vitin që shkoi, për herë të parë, në Kampionatin e Kosovës u organizua edhe gara në konkurrencën e femrave, në disiplinën auto sllallom. Në plasmanin e përgjithshëm, e para ishte Blerta Bytyçi. “Kjo është një mrekulli. E kam ëndërruar pjesëmarrjen në gara, tani kjo është realitet, ndërsa vendi i parë sigurisht që është motiv për t’u përkushtuar edhe më tepër”, është shprehur Bytyqi.

Një çmim shumë special ka qenë edhe ai për Blerand Hasanajn, i cili u shpërblye me “Helmetën e Artë”, çmim ky që i jipet garuesit i cili për tre vjet rresht shpallet kampion në kategorinë përkatëse. “Ka qenë një rrugë e gjatë dhe e vështirë. Për kaq vjet sa jam në auto sport gjithmonë kam pasur qëllim për të arritur te suksesi dhe kjo është edhe porosia ime për të gjithë ata që merren me sport: ‘mos u dorëzoni asnjëherë’. Për të arritur deri këtu kam pasur edhe përkrahje të madhe, në veçanti nga familja ime”, ka thënë Hasanaj.

Një tjetër moment i veçantë i mbrëmjes ishte edhe paraqitja në skenë e Kristian Thaçit, i cili jeton në Gjermani dhe garon në Formula 4. “Për mua është shumë e rëndësishme që jam garuesi i parë që paraqitet në këto gara me licenën e Federatës së Auto Sportit të Kosovës. Shpresoj të arrij edhe më shumë, të garoj në Formula 1, e pse jo të bëhem edhe më i mirë se Hamilton e Schumacher”, është shprehur Thaçi.

FASK i ka nderuar dhe shpërblyer garuesit më të mirë nëpër klasa, kategori e disiplina të ndryshme, pastaj punëtorët sportivë, mediet e institucionet që kanë komntibuar në auto sport gjatë vitit të kaluar.

-->