FBK-ja anulon edhe një tjetër garë

Basketboll 19 Maj 2020 18:03

Pas Superligës, Federata e Basketbollit të Kosovës të martën mori vendim për të anuluar edhe garat tjera të nivelit senior (për të rritur).

Vendimi ka ardhur në kohën kur në futboll dhe hendboll është vendosur të vazhdohen edicionet.

Në këto dy sporte edicioni vazhdon muajin tjetër, por FBK-ja ka vendosur të ndërpres garat e seniorëve, duke u thirrur në specifikat e sportit e po ashtu në situatën në vend. Vendimin e mori Bordi i FBK-së.

“Vendimet për ndërprerjen dhe anulimin e garave në të gjitha kategoritë seniore, përfshirë vendimin e datës 31 mars për anulimin e garave në Superligat e Kosovës në basketboll, janë marrë duke pasur në vëmendje dhe radhë të parë shëndetin e lojtarëve, trajnerëve, punëtorëve sportivë dhe të gjithë akterëve të përfshirë në organizimin e garave të basketbollit, si dhe karakteristikat e sportit tonë, zhvillimi i të cilit është i pamundur në kohë kur pandemia globale po vazhdon që të jetë e pranishme në Kosovë”, thuhet në vendim.

Lidhur me garat e kategorive të reja do të merret vendim më vonë.

-->