FBK-ja cakton ekipet kosovare për ligën e përbashkët të basketbollit Kosovë – Shqipëri

Basketboll 16 Maj 2020 15:01

Sigal Prishtina, Rahoveci, Golden Eagle Ylli dhe Peja janë skuadrat që do ta përfaqësojnë Kosovën në ligën e përbashkët të basketbollit me Shqipërinë, që pritet të fillojë në fund të muajit shtator apo fillimin e tetorit. Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) ka caktuar katër ekipet e para në tabelën e këtij edicioni të anuluar, si pjesëmarrëse në ligën e përbashkët me Shqipërinë.

Bordi i FBK-së ditë më parë ka mbajtur mbledhjen nëpërmjet video-konferencës, ku edhe i ka caktuar ekipet. Në fakt, në këtë mbledhje kanë qenë të pranishëm edhe zyrtarët e këtyre skuadrave që janë pajtuar plotësisht me pjesëmarrjen në ligën e përbashkët me Shqipërinë. Këtë e ka konfirmuar edhe sekretarja e përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, të premten, për gazetën koha.

FBK-ja tashmë i ka dërguar tashmë emrat e ekipeve të saj, si dhe projektin për ligën e përbashkët te Federata Shqiptare e Basketbollit (FSHB), e cila brenda pak ditësh do të japë komentin e saj për të zyrtarizuar gjithçka. FSHB-ja duhet të përcaktohet për katër ekipet pjesëmarrëse nga Shqipëria përpara se të firmosë kontratën me FBK-në.

Firmosja e kontratës pritet të bëhet në ditët e para të muajit të ardhshëm, me çka edhe do të konfirmohet projekti në të cilin është punuar intensivisht kohët e fundit. Kjo ligë vlerësohet se do të shërbejë për ngritjen e cilësisë së basketbollit në të dyja shtetet. “Ne kemi mbajtur takimin nëpërmjet video-konferencës edhe me katër ekipet e para, të cilat jo vetëm që janë pajtuar për pjesëmarrje, por edhe iu ka pëlqyer ideja e ligës së përbashkët me Shqipërinë.

Ne e kemi bërë projektin dhe ia kemi dërguar Federatës shqiptare së bashku me emrat e ekipeve. Po presim komentin e tyre deri të hënën, në të cilin ata do të caktojnë ekipet e tyre pjesëmarrëse”, është shprehur Dushku.

“Sapo të bëhet kjo, ne do të firmosim marrëveshjen me fillim të muajit qershor, pasi synimi ynë është që të nisim me garat në fund të shtatorit apo fillim të tetorit, varësisht situatës me pandeminë COVID-19”.

Sipas Dushkut liga e përbashkët do të jetë kampionat i rregullt, i cili nuk do të pengojë garat nacionale. Ajo thotë se liga do të ketë tetë ekipe, të cilat do të garojnë për titullin e kampionit. Në të vërtetë, Dushku ka zbuluar se liga e përbashkët me Shqipërinë do të jetë si kompensim për ekipet nga Kosova sa i përket pjesëmarrjes në kupat evropiane për edicionin e ri.

-->