FBK-ja dhe SHTBK-ja të shqetësuar, pajtohen për hapat e ardhshëm

Basketboll 30 Maj 2019 15:20

Sot në zyre të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) me kërkesë të përfaqësuesve të Shoqatës së Trajnerëve të Basketbollit të Kosovës (SHTBK), kryetari i FBK-së, Arben Fetahu dhe Sekretarja e Përgjithshme, Elvira Dushku i kanë pritur në takim, Albert Sylejmanin, nënkryetar i SHTBK-së dhe Fidan Shatrin, koordinator i SHTBK-së.

Temat e takimit ishin:

– Shqetësimi i SHTBK-së për mos-prezencën e trajnerëve për të përcjell Klinikën e fundit (25 dhe 26 Maj) të organizuar nga FBK dhe SHTBK, ku kanë ligjëruar trajnerët me renome evropiane, Nenad Trunic dhe Sllobodan Subotic;

– Gjetja e një forme të përbashkët të shkollimit dhe edukimit të trajnerëve;

– Licencimi i trajnerëve për edicionin e ardhshëm 2019/20;

Të dyja palët si FBK, ashtu dhe SHTBK u dakorduan që përfaqësuesit e SHTBK-së të përgatisin propozime të qarta për pikat që janë diskutuar në këtë takim në mënyrë që edicioni i ri të na gjejë sa më të përgatitur sa i përket Klinikave të radhës, si dhe licencimit të trajnerëve, që sigurisht se është pika më e ndjeshme në këtë fazë të zhvillimit të basketbollit kosovar.

Gjithashtu Federata e Basketbollit të Kosovës ka kërkuar nga Shoqata e Trajnerëve të Basketbollit të Kosovës që brenda një periudhe të shkurtër të organizoj Kuvendin e Punës konform Nenit 18 të Rregullores së SHTBK-së: “Sipas rregullave të përgjithshme, Kuvendi i Shoqatës takohet zakonisht një herë në vit, në seanca të rregullta. Anëtarët e seancës së rregullt të Kuvendit janë Bordi Ekzekutiv dhe kryetari i saj, të cilët e propozojnë agjendën dhe përgatisin materialet e tjera të nevojshme të paktën shtatë ditë para fillimit të seancës”.

Duhet theksuar se në data-bazën e FBK-së dhe SHTBK-së janë rreth 100 trajnerë të regjistruar, ndërsa në Klinikën e fundit të organizuar më 25 dhe 26 maj numri i trajnerëve pjesëmarrës ishte shumë i vogël pavarësisht ligjëruesve të dërguar nga FIBA dhe temave të qëlluara për trajnerët.

Mos-interesimi i trajnerëve për të përcjell Klinikat e tilla në të ardhmen do të sanksionohet nga FBK dhe SHTBK, ndërsa për cilat forma të sanksionimit bëhet fjalë, FBK do të njoftojë trajnerët dhe opinionin me kohë.