FBK në bashkëpunim me FIBA-n vazhdojnë punën intensive në hartimin e Planit Strategjik

Basketboll 19 Korrik 2020 17:59

Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) në bashkëpunim me FIBA-n është duke punuar intensivisht në përgatitjen e hartimit të Planit Strategjik të FBK-së 2021-2025.

Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu, Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku dhe Drejtori i Përfaqësueseve të Kosovës, Granit Rugova të premten e kanë zhvilluar takimin e radhës të punës (online) me ekspertët e FIBA-s të cilët janë të angazhuar për të mbështetur FBK-në në hartimin e planit strategjik.

Vetëm gjatë tri javëve të fundit FBK në bashkëpunim me FIBA-n kanë përgatitur anketa me të gjitha grupet e interesit të FBK-së, pastaj intervista me zyrtarë të lartë të FBK-së, me zyrtarë të lartë të sportit në vendin tonë, me anëtarë të Bordit të FBK-së, me stafin e zyrës ekzekutive të FBK-së, si dhe takime të punës me Kryetarin dhe Sekretaren e Përgjithshme të FBK-së.

Dhe e tërë kjo punë është bërë në mënyrë që e gjithë familja e basketbollit në vendin tonë të jetë pjesë e hartimit të këtij plani strategjik.

Elvira Dushku, Sekretare e Përgjithshme e FBK-së dhe projekt-menaxhere e hartimit të Planit Strategjik 2021-2025 deklaroi se janë shumë afër hartimit të një plani të tillë.

“Ne jemi shumë të kënaqur me ecurinë e punëve për hartimin e planit strategjik të Federatës. Të gjithë ne që jemi të përfshirë në mënyrë direkte në hartimin e këtij plani, por edhe ata që janë të përfshirë në mënyrë indirekte, e kemi të qartë se bëhet fjalë për projektin më të rëndësishëm jo vetëm për Federatën, por për gjithë komunitetin e basketbollit në vendin tonë. Andaj ne jemi të vendosur që së bashku me të gjitha grupet tona të interesit të hartojmë një plan, i cili nuk do të mbetet vetëm në letër, por do të jetë i implementueshëm, sepse ne duam që sporti ynë i dashur, pra basketbolli, të zhvillohet çdo herë e më shumë dhe që krahas zhvillimit të tij, të zhvillohen edhe klubet, trajnerët, lojtarët/et, referët/et, tifozët/et, etj.

“Ne gjithashtu jemi shumë të kënaqur me asistencën që jemi duke e marrë nga FIBA në hartimin e këtij plani, pasi ky institucion na ka ofruar ekspertët ndër më të mirët në fushën e sportit dhe ne besojmë se deri në fund të vitit do t’i ofrojmë komunitetit tonë një plan strategjik që do të jetë i mirëseardhur për të gjithë”, përfundoi ajo.

-->