FC Prishtina: Fadil Vokrri ka qenë, është dhe do të mbetët inspirim në karrierën e çdo futbollisti

Futboll 09 Qershor 2020 09:11

Klubi më i madh në vend, FC Prishtina e ka kujtuar Fadil Vokrrin në dy vjetorin e vdekjes së tij.

Sot janë bërë dy vite që nga vdekja e ikonës së futbollit kosovar dhe ish-presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri.

Mëngjesi i 9 qershorit 2019 ishte tronditës për Kosovën, pas lajmit se Vokrri kishte ndërruar jetë”.

Tërë jetën, Vokrri ia kushtoi futbollit, njëherë si futbollist, e më pas si kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës.

Madje, ish-futbollisti i FC Prishtinës, ia doli që FFK-në ta pranonte edhe në instancat më të larta të futbollit botëror si UEFA dhe FIFA.

Me anë të një postimi në rrjetin social “Facebook”, FC Prishtina shkruan se Vokrri “është dhe do të mbetet inspirim në karrierën e çdo futbollisti”.

Shkrimi i plotë i FC Prishtinës:

“Fadil Vokrri (23.07.1960 – 09.06.2018)

Sot mbushen dy vite prej ndarjes nga jeta të futbollistit më të madh që ka pasur Prishtina.

Prijësi i gjeneratës së “viteve të arta” të Prishtinës, fanellën e së cilës ka veshur për gjashtë vite, 1980-1986, ka qenë, është dhe do të mbetët inspirim në karrierën e çdo futbollisti që do të lind në këto troje.

Vokrri, me Prishtinën pati realizuar ëndërrat e të gjithë shqiptarëve nga Ulqini në Preshevë e deri në Strugën e largët, duke arritur majat e futbollit të atëhershëm.

Rreth 172 ndeshje zyrtare dhe 55 gola të shënuar për gjashtë vitet e tij në kryeqendrën e Kosovës, adhuruesit e Prishtinës nuk do t’a harrojnë asnjëherë”.

Në karrierën e tij si futbollist, Vokrri ka luajtur te FC Prishtina, Partizani, Nimes, Fenerbahçe, Bourges dhe Montiuçon.

Gjithashtu, ai e ka përfaqësuar ish-Jugosllavinë në nivel ndërkombëtar, me të cilën ka realizuar 12 paraqitje dhe ka shënuar gjashtë gola.

-->