FC Prishtina konfirmon pjesëmarrjen në turneun ‘Rama – Domi’

Futboll 21 Shtator 2021 13:14

Klubi me renome Prishtina konfirmon pjesëmarrjen në turneun përkujtimor “Rama – Domi” në futboll, që pritet të organizohet në muajin nëntor.

Presidenti i klubit të futbollit Prishtina, Remzi Ejupi, konfirmon pjesëmarrjen, duke thënë se “Ia kanë borxh dy legjendave të futbollit, Favzi Ramës dhe Faton Domi”. 

Në turne pjesëmarrjen e kanë konfirmuar Dukagjini nga Klina, mikpritës i edicionit të sivjetshëm, Liria e Prizrenit dhe Vëllaznimi nga Gjakova. 

Ejupi gjatë takimit me ish drejtorin dhe iniciuesin e parë të turneut të parë të vitit 1993, Arbon Desku, biseduam për shumëçka në lidhje me organizimin e këtij turneut të madh, për ish futbollistë të spikatur të gjeneratës së artë të Prishtinës, të cilët mbrojtën ngjyrat me sukses të kësaj skuadre në ligën e parë ish jugosllave.

Rama – Domi humbën jetën tragjikisht me 22 nëntor të vitit 1987 në fshatin Volljakë të Klinës, pas ndeshjes Liria – Vëllaznimi (1:0). 

Rama luante për Lirinë e Prizrenit dhe Domi në Vëllaznim të Gjakovës.  Tre ditë më vonë, në stadiumin “Polud” në Split, në ndeshjen mes Hajdukut dhe Prishtinës (3:1), u mbajt një minutë heshtje për humbjen tragjike të dy emrave të mëdhenj.

Duhet theksuar se Rama ka luajtur për Prishtinën, Lirinë dhe Eskisehirspor, ndërsa Domi për Prishtinën dhe Vëllaznimin.

-->