Federata e Boksit e Kosovës nuk heq dorë nga udhëtimi në Indi

Boks 07 Nëntor 2018 14:41

Në Federatën e Boksit të Kosovës (FBOXK) nuk kanë hequr dorë nga udhëtimi në Indi.

Drejtues të Federatës janë të bindur se ekipi i Kosovës në krye me boksieren Donjeta Sadiku do të pajisen me viza hyrëse për Indi.

Botërori do të nisë më 15 dhe do të përfundojë më 25 nëntor.

Ditë më parë FBOXK-ja vuri në dyshim paraqitjen e Sadikut në botërorin e këtij viti.

“Shpresojmë që shpejt do të pajisemi me viza hyrëse, sepse tani jemi me pasaporta të Shqipërisë. Ne besojmë se të martën e ardhshme do të nisemi për në Indi”, ka thënë zëdhënësi i FBOXK-së, Latif Demolli.

Sadiku vitin e kaluar nuk u lejua të marrë pjesë në botërorin e të rejave, me arsyetimin se shteti i Indisë nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe pasaportat e saj. Tash do të mbahet botërori për seniore.