Federata e Brazilit, ka një kërkesë për FIFA-n: Të mos lejohet aktivizimi i lojtarëve tanë në Angli

Federata Braziliane e Futbollit i ka dërguar një kërkesë FIFA-s për të mos lejuar skuadrat angleze Liverpool, Manchester United, Masnchester City, Leeds dhe Chelsea që të aktivizojnë lojtarët e “Seleçaos”, që nuk u lejuan të udhëtonin drejt Brazilit për eliminatoret e Botërorit, në ndeshjet e radhës të Premier League-s apo në Kupat e Evropës.
FIFA-s iu kërkua të zbatonte Nenin 5, që parashikon një periudhë kufizimi midis 10 dhe 14 shtatorit, gjë që do t’i bënte lojtarët të mos dilnin në fushë me ekipet e tyre.
Janë tetë futbollistë brazilianë, që luajnë në Angli, të cilët nuk u lejuan nga klubet respektive që të grumbulloheshin me kombëtaren. Ata janë: Rafinha nga Leeds; Fred i Manchester United; Thiago Silva nga Chelsea; Ederson dhe Gabriel Jesus nga Manchester City; Alisson, Firmino dhe Fabinho i Liverpoolit.
Brazili nuk kërkoi që sulmuesi i Evertonit, Richarlison, të mos lejohet të luajë kundër Burnley-t, të hënën. Federata Braziliane e Futbollit duket se është treguar e butë në këtë rast, pasi Evertoni e kishte lejuar Richarlisonin të merrte pjesë në Lojërat Olimpike, kur rregullat nuk e detyronin.
Më parë, federatat e Meksikës, Paraguait dhe Kilit gjithashtu kishin lëvizur për të parandaluar aktivizimin e Raul Jimenez, Miguel Almiron dhe Francisco Sierralta në fundjavë. Klubet janë informuar nga FIFA dhe tani po vlerësojnë situatën. Presidenti i FIFA -s, Gianni Infantino, më parë i kërkoi qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar që të sigurojë angazhimin e lojtarëve me përfaqësueset e tyre, edhe nëse do të bëhej fjalë për vende që janë në listën e kuqe sa i përket pandemisë.