Federer e Sharapova eliminohen – shikoni pamjet kur rrëzohen kampionët në Melbourne

Tenis 20 Janar 2019 13:18

Dita e shtatë e turneut Australian Open – Grend Slemit të parë në kalendarin e sivjetmë, doli të jetë dita kur ky turne e arsyeton epitetin e Grend Slemit të befasive siç e quajnë shumë njohës të tenisit, raporton Insporti.

Greku 20 vjeçar, Stefanos Tsitsipas në meçin më të rëndësishëm të karrierës së tij, luajti tenis fenomenal dhe mundi zivceranin Roger Federer, kampionin ë shumëfishtë të këtij turneu dhe tenistin më të mirë të të gjitha kohëve.

Veterani Federer fitoi setin e parë në tie break, pas një momenti shumë kundërthënës, meqë në poenin vendimtar, dikush nga publiku bërtiti “aut” dhe ky poen po vazhdon të komentohet shumë në rrjete sociale.

Mirëpo, Tsitsipas, ishte në gjendje të kthehet dhe të fitojë tri setet e ardhshme, dy nga të cilat në tie break dhe të fitojë meçin.

Në setin e dytë Tsitsipas shpëtoi set poene që i kishte Federer dhe më pas fitoi në tie break, që doli të jetë edhe momenti vendimtar i meçit meqë loja e zviceranit pësoi rënie aty e tutje, raporton Insporti.

Favoriti tjetër tek meshkujt, Rafael Nadal, ka treguar formë fenomenale duke fituar 3:0 në sete ndaj çekut Tomas Berdych dhe pas eliminimit të Federerit, Nadal e Djokovic mbeten dy favoritët kryesorë.

Tek femrat ndodhën po ashtu dy befasi dhe tashmë gara për titull në këtë turne është shumë e hapur.

Tenistja ruse, Maria Sharapova u eliminua nga vendësja Ashlei Barty që fitoi 2-1. Sharapova e nisi më mirë sfidën teksa fitoi setin e parë 6-4, por Barty iu kundërpërgjigj ish-numrit 1 të botës, duke fituar dy setet e tjera 6-1 dhe 6-4. Edhe më keq shkuan gjërat për numrin 2 të botës, Angelique Kerber, që u eliminua nga debutuesja Danielle Collins. Tenistja amerikane ishte e papërmbajtshme ndaj Kerber dhe e dominoi totalisht ndeshjen, të cilën e mbylli brenda 56 minutave, duke e fituar 2-0 me sete 6-0 dhe 6-2.