Federer për formën fantastike edhe si 37-vjeçar: “Kam qenë me fat…”

Tenis 10 Janar 2019 14:28

Falë një formë fizike për t’u pasur zili, që ka qenë e thuajse e njëjtë përgjatë dy dekadave të fundit, tenisti zviceran Roger Federer ka arritur të jetë dominues në fushë edhe pse aktualisht është 37 vjeç.

Në prag të Australian Open, ku synon të mbrojë titullin fituar vitin e kaluar, numri 3 në botë, thotë se ka qenë me fat me lëndime.

“Kam qenë me fat, pasi nuk u jam nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale, veç viteve të fundit”, tha Federer.

“Gjithnjë kam marrë vendime të mira për sa i përket karrierës time, përfshi edhe atë që të bashkëpunoj me Pierre Paganini, me të cilin stërvitem prej 20 vitesh”.

“Gjithnjë kam qenë i kujdesshëm për sa i përket regjimit të fitnesit, edhe kur isha adoleshent, çka më ndihmoi që të kem këtë jetëgjatësi në sport”.

“Mendoj se e kuptoj mirë trupin tim, e di kur kam ndonjë dhimbje të lehtë apo kur ajo është e rëndë. Di si ta menaxhoj situatën, për të evituar çdo problem në fushë”, tha mes tjerash Federer.