Federer triumfon dhe e shkruan historinë në Halle

Tenis 23 Qershor 2019 17:07

Tenisti zviceran Roger Federer fitoi sot për të 10-ën herë në karrierën e tij turneun ATP të Halle (Gjermani), turne që zhvillohet në fushat me bar.

Në finale, numri 3 në botë mposhti 2-0 në sete (7-6, 6-1) belgun David Goffin.

Një triumf i merituar i Federerit, që vuajti vetëm në setin e parë, ku triumfoi në “tie break”.

Më pas, zvicerani e dominoi lojën, duke fituar me shumë lehtësi në setin e dytë. Për Federerin, ky është trofeu i 102-t; në karrierën e tij.

Federer rikthehet te suksesi në këtë turne pas dy vitesh, teksa një vit më parë u mund në finale nga Borna Coric.

Sidoqoftë, këtë herë, fituesi i 20 Grand Slam-eve nuk gaboi, duke ngritur lart trofeun e turneut të Halle për të 10-ën herë.

Federer e ka fituar trofeun në vitet 2003-2006, 2008, 2013-2015, 2017 dhe 2019 (në tri edicione është mundur në finale).

“Jam shumë i lumtur për këtë triumf. As që e mendoja se do të rikthehesha sërish në finalen e këtij turneu, që është shumë i dashur për mua”, tha Federer.

Zvcierani konfirmoi formën e mirë, teksa ky turne i shërbeu për t’u përgatitur për Grand Slam-in e Wimbledonit, që nis më 1 korrik.

Turneu londinez është objektivi kryesor i Federerin, që fushat me bar i ka sipërfaqen e tij të preferuar.

 

-->