Federeri e Nadali s’ndalen në Roland Garros, “fluturojnë” në çerekfinale

Tenis 02 Qershor 2019 19:12

Roger Federer ka vazhduar marshimin e tij në Grand Slam të Roland Garrosit që pozhvillohet në Paris, duke fituar sot 3-0 me sete (6-2, 6-3, 6-3) ndaj argjentinasit Leonardo Mayer në rundin e katërt dhe kështu ka avancuar në çerekfinale.

Një ndeshje e dominuar nga tenisti zviceran, që pati epërsi në të trija setet, duke i fituar ato me diferenca të mëdha.

Federeri deri më tani ka bërë një paraqitje të shkëlqyer në turneun e fushave me dhe, ku luan për herë të parë pas tri vitesh pushim.

Tenisti zviceran, si 37-vjeçar është bërë tenisti më i vjetër që i arrin çerekfinalet e një Grand Slami që nga viti 1991.

Çerekfinalen e arriti edhe Nadali, me fitoren bindëse 6-2, 6-3, 6-3 në sete ndaj Juan Ingacio Londeros.

Në njërën prej ndeshjeve më të mira të vitit, Stan Wawrinka shënoi fitore të jashtëzakonshme ndaj Stefanos Tsitsipasit, 7-6(6), 5-7, 6-4, 3-6 dhe 8-6, në meç që zgjati 5 orë.

Sot po ashtu janë luajtur edhe ndeshjet e para të rundit të katërt për femra. Tenistja britanike Johanna Konta fitoi 2-0 ndaj kroates Donna Vekic (6-2, 6-4), duke avancuar në çerekfinale.

Fitore regjistroi edhe tenistja tjetër kroate Petra Martic, që mundi 2-1 më përmbysje estonezen Kaia Kanepi (5-7, 6-2, 6-4).

Ndërsa çekja Marketa Vondrousova ka befasuar të gjithë deri më tani, duke shkuar për herë të parë në çerekfinalet e një Grand Slami, pas fitores 2-0 në sete (6-2, 6-0) ndaj letonezes Anastasija Sevastova. /Insporti.com/