Federeri mposht Isnerin, triumfon në Mastersin e Miamit

Tenis 31 Mars 2019 22:17

Roger Federer triumfoi në Mastersin e Miamit, duke mundur thjesht dhe pa shumë vështirësi gjigantin amerikan John Isner.

Më 23 mars tenisti zviceran ishte shumë pranë disfatës me tenistin Radu Albot, megjithatë pas humbjes së setit hapës në takimin me tenistin moldav Roger, fitoi 6 ndeshje radhazi, madje pa humbur asnjë set.

Ishte finalja e 50-në karrierë përsa i përket turneve Masters, për numrin 5 të botës, praktikisht një finale pa histori, sepse 37-vjeçari nga Bazeli fitoi shortin dhe preferoi për t’ia lënë shërbimet pikërisht tenistit nga Shtetet e Bashkuara.

Federeri që dy javë më herët u mund në finalen e Indian Wellsit nga austriaku Dominic Thiem, të hënën në mesditë do të këmbejë pozicionet pikërisht me tenistin nga Wiener Neustadt, për t’u rikthyer si numri 4 i botës, ndërkaq John Isner pavarësisht se humbi 400 pikët e finales do të ruajë statusin e tij aktual si tenist i dhjetëshes së parë të botës në klasifikimin e përgjithshëm ATP.

Mastersi i radhës do të zhvillohet në mesin e muajit prill dhe bëhet fjalë për turneun e Montecarlos, në fushat me dhe, ndërkaq ky ishte trofeu i 28 Masters për tenistin helvet, për më tepër në moshëm 37 vjeç e 8 muaj, një rekord padyshim, duke u ngjitur në këtë mënyrë në kuotën 101 turne të fituar gjithsej në karrierë.

-->