Fenerbahce dominon Baskonian, fiton Olympiacosi

Basketboll 21 Prill 2018 10:16

Skuadra e Fenerbahces fitoi edhe ndeshjen e dytë ndaj Baskonias në fazën çerekfinale të Euroleagues me rezultatin 95-89, duke qenë vetëm një ndeshje larg “final four”.

Një fitore mëse e merituar e skuadrës turke, që pati epërsi mbi parketin e “Ülker Sports Arena” të Stambollit, duke dominuar gjatë gjithë ndeshjes.

Për kampionët në fuqi të Euroleague-s u dallua Wanamaker me 19 pikë, mbështetur edhe nga Vesely me 16, një dyshe që bëri diferencën, ndërsa për Baskonian më i miri ishte Janning me vetëm 17 pikë.

Rikthehet me fitore edhe skuadra greke e Olympiacosit, që mundi 79-68 Zalgiris Kaunas, duke barazuar 1-1 serinë e çerekfinaleve. U duk qartë se vendasit kishin nxjerrë mesime nga disfata e ndeshjes së parë me lituanezët, duke dominuar në “Peace and Friendship Stadium” të Pireut.

Bardhekuqtë krijuan një shkëputje prej 9 pikësh në fund të pjesës së parë, por u barazuan 54 – 54 në fund të periodës së tretë.

Gjithsesi ata e rritën ndjeshëm ritmin në periodën e fundit, falë lojës së mirë të McLean dhe Spanoulis, që realizuan respektivisht 21 dhe 17 pikë, duke fituar në fund me 9 pikë diferencë.