FFK-ja e kontakton Bekim Isufin, i ofrohet pozita e ndihmës-trajnerit te Përfaqësuesja e Kosovës U-21

Trajnerit të mirënjohur kosovar, Bekim Isufi, i ka ardhur së fundmi një ofertë nga Federata e Futbollit e Kosovës.
Isufit i është ofruar pozita si e ndihmës-trajnerit te Përfaqësuesja e Kosovës U-21 e cila së fundmi e ka angazhuar trajneri gjerman Michael Nees, i cili e zëvendësoi Rafet Prekazin.
Lajmi konfirmohet nga burime të “Zeri.info” në Federatën e Futbollit të Kosovës.
Gazeta mëson se tashmë është zhvilluar një takim në mes Isufit dhe krerëve të FFK-së dhe ka mbetur të zhvillohet edhe një tjetër për t’u vendosur përfundimisht nëse do të arrihet ndonjë marrëveshje apo jo.
“Zeri.info” ka tentuar të bisedojë me Isufin, mirëpo ky i fundit nuk është lajmëruar në telefon.
Isufi është një ndër trajnerët më me perspektiv në futbollin kosovar.
Ai tri vite më parë e ka fituar titullin kampion në elitën e futbollit kosovar me Dritën e Gjilanit.
Në karrierën e tij i ka drejtuar edhe disa skuadra të tjera të Superligës teksa momentalisht nuk është i angazhuar në asnjë ekip.