FFK-ja me vendim të prerë – Ekipet nga Serbia nuk do luajnë më në Kosovë

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri, i ftuar sonte në emisionin “Sports Show” në Klan Kosova, ka bërë të ditur se FFK nuk do të lejoj që skuadra e Serbisë, Crvena Zvezda, ta zhvillojë përsëri edhe këtë vit ndeshjen e saj miqësore në Graçanicë.
Vokrri ka thënë se ai e ka informuar edhe Ministrinë e Brendshme të Kosovës, e po ashtu edhe instancat e UEFA-s, se për shkak të provokimeve që kanë ndodhur një vit më parë përmes pankartave dhe flamurëve të ndryshëm nga tifozët serbë, nuk do të tolerohen ndeshjet që thirren si takime bamirësie, por që në prapavijë kanë agjenda tjera.
Kujtojmë që vitin e kaluar Crvena Zvezda e kishte zhvilluar një miqësore në Graçanicë, me arsyetimin e një ngjarjeje bamirësie, mirëpo gjatë ndeshjes kishte pasur thirrje shoviniste serbe dhe pankarta ku mohohej shtetësia Republikës së Kosovës.
Këtë vit takimi ishte paraparë të mbahej më 9 maj, por presidenti Vokrri ka thënë se këtë herë, FFK në bashkëpunim me institucionet e Kosovës, nuk do të lejojnë mbajtjen e ndeshjes së njëjtë.
Për këtë vendim të FFK-së, është ankuar edhe kryetari i komunës së Graçanicës, i cili u ka dërguar një letër proteste ambasadave të huaja në Kosovë, OSBE-së dhe UEFA-s, mirëpo përkundër kësaj proteste dhe pakënaqësie nga ana e kryetarit të Graçanicës, Federata e Futbollit të Kosovës i qëndron besnike vendimit të saj, për të mos lejuar zhvillimin e kësaj ndeshjeje.
Në anën tjetër, i pyetur në lidhje me pjesëmarrjen e skuadrave serbe të Kosovës në ligat e FFK-së, Vokrri ka pohuar se Federata, e po ashtu edhe vet ai personalisht, gjithmonë i ka bërë thirrje klubeve serbe të Kosovës, që të inkuadrohen dhe të regjistrohen për të qenë pjesë e garave që i organizon FFK-ja.
Në fund, presidenti Vokrri foli edhe për vendimin e FFK-së, që nga sezoni i ardhshëm Superliga e Kosovës në futboll, të ketë vetëm 10 klube që garojnë. Fadil Vokrri shpjegoi se është diskutuar dhe ka pasur debat së fundmi edhe me skuadrat për këtë çështje dhe ka pohuar se shumica e klubeve janë pro vendimit, që zvogëlon në 10 numrin e ekipeve në Superligë. /Insporti.com