FFK mban Kuvendin e Punës por jo edhe Kuvendin Zgjedhor

Futboll 08 Prill 2021 11:27

Federata e Futbollit e Kosovës sot mban Kuvendin e Punës pas më shumë se tri vjetësh nga kur ishte mbajtur kuvendi i fundit i punës. Sipas statutit të FFK-së kuvendi duhet të mbahet në baza vjetore.

Një kuvend tjetër që ishte mbajtur përpara këtij, ishte ai për “Zgjedhjen e Anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv”, i mbajtur më 27 janar 2020. Ishte quajtur kështu në kundërshtim me Statutin e FFK-së pasi që Federata kishte vendosur që në këtë mënyrë të shmangte Kuvendin Zgjedhor në përputhje me statutin, gjatë të cilit do të duhej të zgjedheshin paralelisht edhe Kryetari i Federatës e edhe Komiteti Ekzekutiv. Rezultatet e këtij kuvendi kanë vendosur një situatë të paprecedent ligjore e cila po vazhdon edhe sot – mandati i Kryetarit të Federatës nuk përputhet me atë të Komitetit Ekzekutiv.

Funksionin e Kryetarit të Federatës së Futbollit aktualisht e ushtron Agim Ademi, i cili ishte zgjedhur më 6 korrik 2018, pas vdekjes së Kryetarit Fadil Vokrri, vetëm dy vjet pasi ai ishte rizgjedhur kryetar. Sipas Statutit të FFK-së, Ademi këtë post do të duhej ta ushtronte për periudhën e mbetur të Kryetarit Fadil Vokrri. Por, organet udhëheqëse të Federatës, Sekretari Gjeneral dhe Komiteti Ekzekutiv, kishin që të shmangnin zgjedhjet për kryetar dhe në mënyrë të heshtur të legjitimonin mandatin e Agim Ademit si mandat të plotë katërvjecar.

Procesverbali i Federatës së Futbollit të Kosovës për këtë Kuvend, si dhe xhirimet televizive të Kuvendit, shpërfaqin një situatë tejet të tensionuar dhe me pakënaqësi të shumta nga delegatët. Agim Ademi, i vetëdijshëm për kundërshtimet e klubeve dhe shkeljen e statutit, që në fillim të fjalës së tij hyrëse kishte kërkuar votëbesim, kërkesë kjo e cila u kundërshtua me zhurmë nga një pjesë e delegatëve të klubeve të Superligës, që rezultoi me tërheqjen e kësaj kërkese nga Agim Ademi dhe rrjedhimisht edhe me mosdhënie të votëbesimit. Por, Kuvendi legjitimoi mandatin e Komitetit Ekezkutiv, përkundër pakënaqësive të delegatëve, një pjesë e madhe e të cilëve bile kishin qëndruar në këmbë gjatë gjithë votimit. Këta delegatë madje edhe sot e kësaj dite vënë në pikëpyetje legjitimitetin e disa delegatëve për shkak të konflikit të interesit, pasi që një pjesë e tyre marrin paga nga FFK, gjë e cila mund të ndikojë në pavarësinë e votës së tyre.

As Sekretari Gjeneral, Eroll Salihu, e as Komiteti Ekzekutiv, përkundër pyetjeve të mediave, nuk kanë e kanë sqaruar ndonjëherë se në cfarë forme kjo situatë është në përputhje me statutin e FFK-së.

Situata mbetet e paqartë edhe sot, teksa pritet se cfarë vendimi do të marrë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe e Sporteve dhe Komiteti Olimpik i Kosovës. MKRS në shtator të vitit të kaluar kishte lëshuar një Qarkore sipas së cilës Federatat urdhëroheshin që të mbanin Kuvendet e Punës dhe Kuvendet Zgjedhore përpara fundit të marsit 2021, kur do të zgjedheshin organet udhëheqëse të KOK-ut. Tanimë ky afat ka kaluar. Në pyetjet dërguar Ismetit Krasniqit, Presidentit të KOK-ut, lidhur me masat që do të ndërmerren ndaj federatave që nuk e kanë respektuar Qarkoren e MKRS-së, Krasniqi është përgjigjur se “kjo është një cështje e rëndësishme dhe do të diskutohet me Bordin e KOK-ut në takimin e radhës si dhe me MKRS-në më të cilën mbajnë takime javore”.

Sa i përket Qarkores, Sekretari Gjeneral i FFK-së, Eroll Salihu, ngritjen e kësaj cështjeje nga mediat e kishte quajtur tendencioze dhe cështjen e zgjedhjes së kryetarit “temë të konsumuar”.

Kuvendin e sotëm të Punës pritet ta udhëheqë Agim Ademi në cilësinë e Kryetarit, gjykimi ndaj të cilit për veprën penale, detyrim në tentative, ende nuk ka përfunduar. Seanca e rigjykimit ishte caktuar për datën 24 mars 2021, por me arsyetimin se Agim Ademi ndodhej në Turqi për shkak të një familjari të sëmurë, kjo seancë e cila udhëhiqej nga gjykatësa Medie Bytyqi ishte shtyrë. Por, Agim Ademi kishte gënjyer shtetin pasi që në momentin e mbajtjes së seancës kishte qenë në zyrën e tij në FFK dhe madje ishte shfaqur edhe në Stadiumin Fadil Vokrri ku Kombëtarja e Kosovës po zhvillonte ndeshjen miqësore kundër Lituanisë.

Agim Ademi ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me nëntë muaj burg nga Gjykata Themelore në korrik 2019, vendim i cili ishte konfirmuar edhe nga Gjykata e Apelit në mars 2020. Agim Ademi dhe Muharrem Rama akuzohen se gjatë periudhës kohore 12 korrik – 12 shtator 2012, me qëllim të përfitimit material e kishin kërcënuar dhe sulmuar Dritëro Kadollin, duke e detyruar të njëjtin të bëjë veprime në dëm të pasurisë së tij, respektivisht të bëjnë përfitim të pa drejtë në shumën prej 30.000.00 euro, apo një veturë të tipit “BMË X5”, e cila veturë më pas pretendohej t’i dorëzohej Kryesuesit të Asamblesë Komunale të Prishtinës, Sami Hamiti, duke kryer veprën penale detyrimi në bashkëkryerje. Agim Ademi ishte urdhëruar që më 18 qershor 2020 të fillonte vuajtjen e dënimit. Me kërkesë të Agim Ademit, për shkaqe shëndetësore, vujatja e dënimit ishte shtyrë për 3 muaj. Njëjtë sikur në seancën e rigjykimit më 24 mars 2021, ai kishte paraqitur raportet mjekësore.

Federata e Futbollit e Kosovës, ndërkaq, ishte treguar plotësisht indiferente dhe, në kundërshtim me statutin e saj, nuk kishte ndërmarrë as edhe një veprim të vetëm për shkarkimin e Agim Ademit nga pozita e kryetarit. Madje, Komiteti Ekzekutiv i saj, kishte dhënë edhe një opinion mbi vendimin e gjykatës: „KE analizoi edhe cështjen e dënimit të presidentit Agim Ademi nga ana e Gjykatës së Apelit, duke konsideruar se dënimi i tij është i padrejtë. KE me unanimitet të plotë i dha përkrahje presidentit që të vazhdojë të ndjekë rrugët ligjore të lejueshme për ta zbardhur rastin deri në instancën e fundit – Gjykatën Supreme“ (deklarata nga komunikata e FFK-se, mbledhja e datës 20 mars 2020).

Seanca për rigjykimin e Agim Ademit është shtyrë për një kohë të pacaktuar. Mbetet të shihet se si do të reagojnë autoritetet e shtetit në vijim të këtyre ngjarjeve si dhe veprimeve të Agim Ademit.

-->