FFK në mbledhje diskuton për ndeshjen Llapi-Drita dhe për shkurtimin e ekipeve në Superligë

Komiteti Ekzekutiv i FFK-së, të mërkurën më 25 prill, mbajti mbledhjen e vetë të radhës në drejtimin e presidentit Fadil Vokrri, në të cilën u diskutua për zhvillimet dhe çështjet me rëndësi për futbollin e Kosovës.
KE diskutoi dhe miratoi Projekt buxhetin e FFK-së për Vitin 2018, e po ashtu e mirëpriti Raportin e auditimit nga FIFA.
U analizua edhe rrjedha e deritanishme e Kampionatit, duke konstatuar se kampionati po zhvillohet sipas dinamikës së paraparë, ku po vërehet edhe mobilizimi dhe organizimi i klubeve dhe i gjithë faktorëve relevant.
Sipas Komitetit Ekzekutiv, garat janë duke shënuar rritje në cilësi dhe rivalitet sportivë, ku lufta për titull dhe ajo e largimit nga Superliga, po e bën edhe më cilësore e joshëse garën.
Ndonëse u diskutua edhe për ndeshjen e fundit Llapi-Drita, një ndeshje e shumëpërfolur në opinion, por si rast i izoluar, u tha se organet e FFK-së i kanë marrë të gjitha masat e duhura në përputhje me aktet normative, e madje e kanë njoftuar edhe UEFA-n për këtë rast.
Lidhur me këtë rast, FFK ka kërkuar nga mediet, që të jenë sa më të kujdesshme në plasimin e lajmeve të cilat nuk janë të konfirmuara dhe që kanë për qëllim dëmtimin e imazhit të futbollit të Kosovës.
“FFK-ja është dhe do të jetë gjithmonë e hapur dhe bashkëpunuese me të gjithë, me qëllim të pasqyrimit të së vërtetës. Me qëllim të zhvillimit dhe përparimit të futbollit të Kosovës”.
Komiteti Ekzekutiv ka diskutuar një strategji dhe ka caktuar prioritetet e saj, ku gjerësisht është debatuar për gjetjen e një sistemi të garave që përputhet me kushtet, ruajtjen e cilësisë së lojës së futbollit dhe mbajtjen në nivel të futbollistëve.
Në këtë drejtim është debatuar edhe për shkurtimin e Ligës në 10 ekipe, por paraprakisht do të zhvillohet një debat i hapur që nga dita e sotme (e enjte) me të gjithë faktorët relevant, siç janë klubet, këshillat profesionale, profesionistët e fushës, gazetarët dhe mbarë shoqëria, në mënyrë që në një të ardhme, të sigurohet një sistem i mirë i garave që i përgjigjet Kosovës. /Insporti.com