FFK nuk ka pranuar kerkesë që Prishtina-Drita të zhvillohet në stadiumin e Prishtinës

Futboll 12 Maj 2018 17:33

FFK-ja nuk ka marrë asnjë kërkesë që Prishtina-Drita të luhet në stadiumin e Prishtinës

Sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu në një deklaratë për portalin Koha.net ka mohuar të kenë marrë ndonjë kërkesë nga klubi i Prishtinës apo kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti që ndeshja e fundit e Superligës, Prishtina-Drita, të zhvillohet në stadiumin gati të rinovuar të Prishtinës.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Ahmeti, përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se ka kërkuar nga Federata (e Futbollit të Kosovës) dhe Ministria e Sportit që të shikohet mundësia që ndeshja vendimtare për titull të Superligës të zhvillohet në Prishtinë, por FFK-ja ka thënë se deri më tani nuk ka marrë ndonjë kërkesë, mirëpo ka konfirmuar se bisedimet për këtë çështje pritet të fillojnë të hënën.

“Xhiroja e fundit e Superligës së Kosovës në futboll është finale mbi finalet. Rrallë ndodhë që në xhiron e fundit të vendoset kampioni si në këtë edicion. Kjo lojë nikoqire për Prishtinën me Dritën është vendosur të luhet në Pejë. Kërkesa ime për Federatën, punëkryesin e Ministrinë është që të shohim mundësinë që kjo lojë të luhet në stadiumin e Prishtinës. E dimë që punimet nuk kanë përfunduar krejtësisht në tribuna po do të ishte hapje madhështore e stadiumit të rinovuar të qytetit”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.

Sekretari i FFK-së, Salihu, për Koha.net ka thënë se do të ishte ideale sikur ndeshja e fundit e sezonit dhe finalja e Kupës së Kosovës të zhvillohet në stadiumin e kryeqytetit, por sipas tij, nuk mund të rrezikohen shikuesit pasi ende nuk janë bërë testimet e stadiumit.

“Deri sot nuk kemi pasur asnjë kërkesë që ndeshja të zhvillohet në stadiumin e Prishtinës. Për ne do të ishte ideale sikur ndeshja [Prishtina-Drita] të zhvillohej në stadiumin e kryeqytetit, ashtu siç do të ishte mirë të zhvillohej edhe finalja e Kupës së Kosovës. Por nuk duam t’i rrezikojmë as shikuesit sepse deri më tani nuk është bërë asnjë test, edhe bari nuk është në gjendje të mirë”, ka thënë sekretari i FFK-së, Eroll Salihu për portalin Koha.net.

Portali Koha.net ka kontaktuar edhe me Ibër Alajn, drejtor i Departamentit të Sportit në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, por ai ka thënë se të hënën do të shikohen kërkesat për zhvillimin e ndeshjes Prishtina-Drita në stadiumin e Prishtinës.

Ndeshja Prishtina-Drita, e cila do të zhvillohet të shtunën e ardhshme, është ndeshja vendimtare për titull kampioni në Superligë. Ndonëse gjilanasve të Dritës, skuadër e cila kryeson tabelën me 66 pikë, u mjafton barazimi, Prishtinës, që renditet e dyta me 63 pikë, i duhet fitore me plus 2 gola diferencë në mënyrë që të shpallet kampion i këtij sezoni.

-->