FFK zbulon detajet për miqësoren Kosova – Suedia

Kombëtarja 10 Dhjetor 2019 12:04

Kombëtarja e Kosovës do të zhvillojë ndeshje miqësore me Suedinë, më 12 janar në Doha të Katarit, derisa ekziston mundësia që katër ditë më pas të zhvillohet edhe një miqësore tjetër për çka po punojnë zyrtarët e FFK-së, por që tash për tash nuk ka ende asgjë konkrete.

Për të dhënë detaje në lidhje me miqësoren me Suedinë, sot, në konferencë për media janë paraqitur menaxheri i ekipit kombëtar, Bajram Shala dhe Muharrem Sahiti, ndihmës i përzgjedhësit Bernard Challandes.

Shala ka bërë të ditur se Kombëtarja e Kosovës do të qëndrojë në Katar prej 8 deri më 13 janar, por nëse aranzhohet edhe ndeshja e dytë miqësore, atëherë qëndrimi do të jetë më i gjatë, ngase miqësorja e dytë nëse realizohet do të zhvillohet më 16 janar.

“Ndeshja me Suedinë zhvillohet në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme të Federatës për t’i dhënë sa më shumë mundësi shtabit teknik që të ketë sa më shumë lojtarë të grumbulluar dhe për të njohur sa më shumë kandidatë potencial për ekipin A dhe për të pasur punë sa më të shpeshtë me futbollistët në prag të dy ndeshjeve të muajit mars në tentimin e Kombëtares sonë për t’u kualifikuar në Euro 2020. Siç e dini FFK ka tentuar të organizojë ndeshje të tilla edhe në të kaluarën për t’iu dhënë rast edhe futbollistëve tjerë përveç atyre që tashmë janë pjesë e grupit kryesor. Një iniciativë të tillë e kemi pasur edhe në vitin 2018 kur veçse ishte aranzhuar ndeshja me Azerbejxhanin, por meqenëse më pas ishim në të njëjtin grup me këtë kombëtare në Ligën e Kombeve, ekipi rival u tërhoq nga ajo miqësore. Prandaj, edhe miqësorja me Suedinë është në vazhdën e përpjekjeve të FFK-së për t’i dhënë mundësi shtabit teknik dhe futbollistëve për t’u grumbulluar sa më shpesh dhe të provojnë sa më shumë lojtarë, në mënyrë që trajnerët të kenë një pasqyrë sa më reale jo vetëm për futbollistët kryesorë që grumbullohen vazhdimisht, por edhe për ata që mund ta kenë rastin në miqësoren me Suedinë”, ka thënë Shala.

Tutje ai ka thënë se kjo ndeshje zhvillohet jashtë kalendarit zyrtar të UEFA-s dhe shumica e lojtarëve të rëndësishëm do të kenë angazhime me klubet e tyre dhe nuk do të jenë në dispozicion të trajnerit Challandes gjatë muajit janar, derisa ka bërë të ditur edhe agjendën e Dardanëve.

“Do të kemi 4 stërvitje, pasi për shkak të kushteve klimatike është shumë vështirë të punohet këtu, prandaj të gjitha stërvitjet do të zhvillohen në Katar. Ka kontakte për të zhvilluar edhe një ndeshje miqësore. Ende s’ka diçka konkrete, por nëse zhvillohet ndeshja tjetër do të jetë me 16 janar. Sidoqoftë tash për tash e konfirmuar është vetëm ndeshja me Suedinë”, shtoi Shala.

Muharrem Sahiti, ndihmëstrajner i Kosovës tha se kjo miqësore është në një kohë të papërshtatshme, por që është tejet e mirëseardhur.

“Kjo ndeshje do të jetë shumë e mirëseardhur për ne, pavarësisht se ndoshta periudha kur zhvillohet nuk është aq e përshtatshme për futbollistët, sepse disa janë në pushime e disa të tjerë janë të angazhuar me klubet e tyre, por nuk kemi mundur të refuzojmë këtë ndeshje, ngase sa më shumë që kemi lojtarë aq më tepër do të kemi edhe zgjidhje. Tash jemi duke punuar rreth grumbullimit dhe mundësisë se cilët lojtarë do të na bashkohen. Fakti që nuk është datë e UEFA-s na e vështirëson grumbullimin e lojtarëve, por jemi duke biseduar me disa lojtarë që i kemi në shtetet skandinave dhe po llogarisim tek ata. Besoj se brenda pak ditëve do të dimë se cilët lojtarë nga Kombëtarja A do t’i kemi në dispozicion. Ne e kemi vëzhguar edhe Superligën e Kosovës dhe kemi thënë gjithmonë që Kombëtarja i ka dyert e hapura për të gjithë futbollistët. Kemi kontakte edhe me Herolind Shalën dhe nëse ai vjen do të jetë interesant të shohim se paraqitjen e tij pas lëndimit. Çdo ndeshje miqësore është e rëndësishme, aq më tepër kur luan me një kundërshtar të fortë. Gjithmonë përvoja përfitohet kur ke ballafaqim me skuadra të forta dhe më të organizuara. Pavarësisht se Suedia do të luajë me futbollistë nga kampionati vendor nuk do të jetë lehtë, sepse ka futbollistë që kanë qenë vazhdimisht pjesë e kombëtares”, tha ndihmëstrajneri Sahiti.

Gjatë konferencës është bërë e ditur se tash për tash nuk është dërguar ende asnjë ftesë as për futbollistët që luajnë jashtë dhe as për ata që luajnë në kampionatin vendor.

Kombëtarja do të grumbullohet më 8 janar dhe të gjitha stërvitjet do t’i zhvillojë në Katar.

-->