FIBA e vazhdon bashkëpunimin me FBK-në

Basketboll 03 Shtator 2019 09:54

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) e ka marrë dritën e gjelbër nga Fondi për Zhvillim i Gjeneratave të Reja të FIBA Evropës edhe për një vit (2019-2020).

Ky projekt është dyvjeçar dhe vetëm pas raporteve të punës në detaje dhe raporteve financiare në detaje që dorëzohen në FIBA Evropë nga Federatat Nacionale pas përfundimit të vitit të parë të projektit, dhe vetëm nëse janë në rregull raportet në fjalë, atëherë FIBA Evropa vendos për ta vazhduar projektin edhe për një vit, duke e mbështetur Federatën Nacionale edhe me 40,000.00 Euro për vitin e dytë radhazi.

Dhe kjo pikërisht ka ndodhur me Federatën e Basketbollit të Kosovës, sepse ashtu siç janë kërkuar raportet e detajuara nga FIBA Evropa, ashtu edhe i ka dorëzuar FBK dhe FIBA Evropa ka qenë shumë e kënaqur si me punën në terren nga FBK me këtë projekt, ashtu edhe me përmbylljen e raporteve.

Federata e Basketbollit të Kosovës tash e tre vjet është në një projekt të përbashkët me katër Federata të tjera Nacionale si ajo e Turqisë, Rumanisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë në kuadër të Fondit për Zhvillim të Gjeneratave të Reja.

Në kuadër të këtij projekti të përbashkët organizohen grumbullime javore, mujore, kampe nacionale, turne ndërkombëtar për djem dhe vajza të moshës deri në 14 vjeç, si dhe trajnohen trajnerët e rinj në mënyrë që në të ardhmen Federatat Nacionale të kenë dobi nga këta trajnerë.

Duhet theksuar se në dy vitet e para projekti ka qenë i dedikuar vetëm për konkurrencën e djemve, kurse ky është viti i dytë radhazi që Federatat Nacionale të lartpërmendura e kanë përfshirë edhe konkurrencën e vajzave.

Federata e Basketbollit e Kosovës është fituese e projekteve të FIBA Evropës të Fondit për Zhvillim të Gjeneratave të Reja që nga viti 2015, por që në dy vitet e para FIBA Evropa e ka mbështetur FBK-në me shumën prej 24,000.00 Euro, ndërsa falë punës dhe përkushtimit të madh që FBK e ka dëshmuar në punën me gjenerata të reja në të dyja konkurrencat, atëherë FIBA Evropa ka vendosur që nga viti 2017 të mbështetë FBK-në me shumë më të madhe të të hollave.