FIFA dhe FFK mbajnë seminarin për sistemin TMS

Futboll 03 Korrik 2019 13:20

Gjatë ditës së sotme, Federata e Futbollit të Kosovës në bashkëpunim me FIFA-n kanë mbajtur seminarin për sistemin e transferimeve të lojtarëve, TMS.

Sistemi TMS ka të bëjë me transferimin e lojtarëve ku përmes këtij sistemi klubi automatikisht ka një përfitim financiar, madje edhe atëherë kur lojtari i tyre nuk ka kontratë.

Në këtë seminar pjesëmarrës ishin administratorët e FFK-së si dhe administratorët e klubeve të Superliges dhe Ligës së parë, ku edhe u informuan më hollësisht për këtë sistem. Ata gjithashtu morën informacione të shumta nga  delegacioni  i FIFA-s, i cili ishte i përbërë nga Silva Costa Salva, Dana Butticker dhe Bernard Weber.

Adem Qollakaj, anëtar i Federatës së Futbollit të Kosovës u shpreh se ky seminar do t’i shërbejë për të mirë administratorëve të klubeve.

“Ky sistem ka filluar që para pranimit tonë në UEFA e FIFA dhe na ka mundësuar në radhë të parë bashkëpunimin dhe gatishmëria e zyrtarëve të FIFA-s për të na ndihmuar ka qenë në nivelin më të lartë. Në këtë aspekt Federata e Futbollit të Kosovës ka qenë ndoshta pak e privilegjuar nga Federata tjera pasi që çdo herë çdo tre – katër muaj ka pasur zyrtarë nga FIFA të cilët kanë shprehur gatishmërinë kanë dhe kanë dhënë njohuritë e tyre rreth përdorimit të këtij sistemi”, tha Qollakaj.

Ndërkohë anëtarja e delegacionit të FIFA-s për sistemin TMS, Dana Butticker tha se është shumë e lumtur me praninë e saj në Kosovë, duke theksuar se vazhdimisht do të mundohet t’i ndihmojë administratorëve të FFK-së dhe të klubeve kosovare.

“Quhem Danna Butticker dhe punoj për ekipin trajnues dhe mbështetës të BE-së në FIFA TMS. Jam unë apo një nga kolegët e mi ata të cilët u përgjigjemi e-maileve që dërgohen në TMS. Por nuk e bëjmë këtë vetëm. Punoj me kolegët e mi që janë këtu në departamentin e pajtueshmërisë të TMS dhe në departamentin e FIFA-s për statusin e lojtarëve rreth pyetjeve ligjore, në mënyrë që t’ju ndihmojmë rreth përgjigjeve tuaja që ju të mund të vazhdoni aktivitetin tuaj në TMS. Sa i përket çështjeve teknike, punoj me ekipin e menaxhimit të aplikacioneve për t’ju ndihmuar të zgjidhni ndonjë problem teknik në lidhje me sistemin”, pohoi ajo.

Kujtojmë që përfaqësues të Federatës së Futbollit të Kosovës dit më parë kanë marrë pjesë në “Big 5 FIFA TMS Conference”, ku ishin diskutuar tema të ndryshme si rreth: regjistrimit të lojtarëve të mitur, akademive të futbollit dhe barazisë gjinore në futboll.

-->