FIFA miraton rregulloren: Futbollistët e huaj në Rusi kanë të drejtë të shkëpusin kontratën në mënyrë të njëanshme

Futboll 07 Mars 2022 21:17

Një javë pasi deklaroi se ekipet ruse nuk mund të luajnë futboll ndërkombëtar për një periudhë të pacaktuar për shkak të luftës ndaj Ukrainës, FIFA njoftoi se lojtarët dhe trajnerët e huaj të kontraktuar nga ekipet ruse mund të pezullojnë kontratat e tyre dhe të lëvizin diku tjetër – të paktën përkohësisht, transmeton Insporti.

Vendimi do të prekë rreth 100 lojtarë, të cilët do të jenë në gjendje të lënë mënjanë kontratat e tyre duke filluar nga e enjtja dhe të nënshkruajnë me ekipe të reja deri në fund të sezonit evropian.

Përmes një njoftimi të lëshuar në faqen zyrtare, FIFA njoftoi se ka marrë këto vendime:

“Në lidhje me situatën në Ukrainë, për t’u ofruar lojtarëve dhe trajnerëve mundësinë për të punuar dhe për të marrë një rrogë, dhe për të mbrojtur klubet ukrainase, përveç nëse palët në kontratën përkatëse bien dakord shprehimisht ndryshe, të gjitha kontratat e punës së lojtarëve dhe trajnerëve të huaj me klubet anëtare të Shoqatës së Futbollit të Ukrainës (UAF) do të konsiderohen automatikisht të pezulluara deri në fund të sezonit në Ukrainë (30 qershor 2022), pa pasur nevojë për asnjë veprim nga palët për këtë qëllim.

Për të lehtësuar largimin e lojtarëve dhe trajnerëve të huaj nga Rusia, në rast se klubet e lidhura me Unionin e Futbollit të Rusisë (FUR) nuk arrijnë një marrëveshje të ndërsjellë me lojtarët dhe trajnerët e tyre përkatës të huaj përpara ose më 10 mars 2022 dhe përveç nëse me marrëveshje me shkrim, lojtarët dhe trajnerët e huaj do të kenë të drejtën të pezullojnë në mënyrë të njëanshme kontratat e tyre të punës me klubet në fjalë të lidhura me FUR deri në fund të sezonit në Rusi (30 qershor 2022).

Pezullimi i një kontrate sipas paragrafëve të mësipërm do të nënkuptojë që lojtarët dhe trajnerët do të konsiderohen ‘pa kontratë’ deri më 30 qershor 2022 dhe për këtë arsye do të jenë të lirë të nënshkruajnë një kontratë me një klub tjetër pa u përballur me pasoja të çfarëdo lloji”.

FIFA në fund ka përsëritur se dënon përdorimin e vazhdueshëm të forcës nga Rusia në Ukrainë dhe ka bërë thirrje për një ndërprerje të shpejtë të konfliktit dhe për një kthim në paqe.

-->