“FIFA The Best” – kështu votoi gazetari kosovar në çmimet e FIFA-s

Gazetari i njohur i sportit, Arben Berisha, ishte gazetari kosovar që votoi në çmimet e FIFA-s.
Mbrëmë FIFA ndau çmimet e futbollistit, trajnerit dhe ekipit më të mirë të vitit, raporton Insporti
Nga mediat kosovare, në këto çmime votoi gazetari Arben Berisha i televizionit publik.
Ai për Insportin zbuloi votat e tij për lojtarë dhe trajnerë.
Votimet për lojtarë
Berisha i ka dhënë pikët maksimale, gjithsej 5, Leo Messit, që mbrëmë e fitoi çmimin e futbollistit më të mirë në botë.
Të dytin, me tre pikë Berisha e ka votuar mbrojtësin e Liverpoolit, Virgil Van Dijk, ndërkaq një pikë, në vendin e tretë ia ka dhënë Cristiano Ronaldos.
Kjo pikërisht ishte edhe renditja përfundimtare, në çmimin për lojtarin më të mirë.
Messi ishte fituesi me 46 pikë, Van Dijku me 38 pikë ishte i dyti, kurse top 3-shen e përmbylli Ronaldo me 36 pikë.
Votimet për trajnerë
Ndërkaq, te trajnerët Berisha me pikë maksimale ka votuar Jurgen Kloppin, duke i dhuruar 5 pikë, në vendin e dytë me tre pikë e zgjodhi Pep Guardiolan, ndërsa një pikë në vendin e tretë ia dhuroi trajnerit të Tottenhamit, Mauricio Pochettino.
Kjo ishte renditja edhe te trajnerët, pasi që Klopp ishte fituesi me 48 pikë, Guardiola ishte i dyti me 38 pikë, ndërkaq me 27 pikë Pochettino u rendit në vend të tretë. /Insporti.com/