Filloi gara për titull – raportet nga ndeshjet e para të plejofit

Basketboll 15 Prill 2018 11:17

Golden State Warriors përmbushën pritshmëritë në ndeshjen e parë të serisë së çerekfinale të Konferencës së Perëndimit në NBA.

Kampionët në fuqi mposhtën 113 – 92 San Antonio Spurs në “Oracle Arena”, duke dominuar nga fillimi në fund ndaj teksanëve, pavarësisht mungesës së Stephen Curryt. Pesw basketbollistë të Warriors arritën shifra të dyfishta pikësh, por më i miri mbi parket rezultoi Klay Thompson me 27 pikë, ndërsa Durant dhe McGee shtuan gjegjësisht 25 dhe 15 pikë për vendasit.

New Orlenas Pelicans morën një fitore shumë të rëndësishme 95 – 97 në parketin e Portland Trail Blazers, që edhe pse u gjenden në disavantazh prej 19 pikësh në periodën e tretë, për pak mund ta kishin çuar përballjen në shtesë. Pelicans patën një rënie të pashpjegueshme në pjesën e dytë, por në saje të 35 pikëve dhe 14 kërcimeve të Anthony Davis si dhe 21 pikëve të Jrue Holiday morën një rezultat shumë të mire në ndeshjen e parë të serisë së plejofit.

Në Lindje Toronto Raptors vuajtën jo pak ndaj Washington Wizards, por në fund arritën të triumfonin 114 – 106 në “Air Canada Centre”. Pas një pjesë të parë aspak bindëse, që u mbyll 55 – 59 në favor të Wizards, kanadezët, të udhëhequr nga Serge Ibaka, i cili shënoi në total 23 pikë dhe mori 12 topa poshtë koshit, e rritën ndjeshëm ritmin, duke fituar në fund me 8 pikë diferencë. Delon Wright e mbylli takimin me 18 pikë, ndërsa Demar DeRozan u mjaftua me “vetëm” 17 pikë. John Wall, nga ana tjetër, realizoi 23 pikë dhe dha 15 asistime për Wizards, por pa mundur të shmangte humbjen.

Fitoren më bindëse e shënuan Philadephia 76ers ndaj Miami Heat me rezultatin 130 – 103. Në “Wells Fargo Center”, Soixers luajnë si vendës, skuadra nga Florida befasoi duke e mbyllur pjesën e parë në epërsi 56 – 60, por vendasit u shfaqën të papërmbajtshëm në dy periodat e fundit, duke shënuar plor 74 pikë dhe 5 basketbollistë vendas që regjistruan shifra të dyfishta pikësh. Kryesojnë JJ Redick dhe marco Bellinelli me 28 dhe 25 pikë, ndërsa për Heat më i miri rezultoi Olynyk me 26 pikë.