Fillojnë telashet te skuadra e Hondas, Lorenzo akuzon se po favorizohet Marquezi

Moto GP 04 Qershor 2019 11:15

Situata te motori japonez Honda nuk është aspak e qetë. Pas garës së fundit në Mugello të Italisë, Jorge Lorenzo ka ngritur zërin, duke deklaruar se nuk po ndihmohet sa duhet nga skuadra, e cila përkrah më shumë Marc Marquezin.

Për këtë arsye, Lorenzo do të fluturojë në Japoni për shpjegime. Madje, mendohet se Lorenzo do të kërkojë prishjen e kontratës me Hondan.

Sidoqoftë, spanjolli pritet të bëjë disa modifikime te motori i tij, në mënyrë që ajo t’i përshtatet më shumë stilit të tij të vozitjes. Edhe në garën e fundit në Itali, Lorenzo u rendit shumë pas, ndërsa Marquez i dyti.

“Me këtë motor mund të fitohet, siç po bën Marquezi. Sidoqoftë, këtë gjë mund ta bëjë vetëm ai. Ky motor është i ndërlikuar dhe duhet të gjejmë një zgjidhje për të më dhënë mundësinë që ta ngas sa më lehtësisht”, tha Lorenzo.

Nuk ka vonuar replika e Marquezit, që tha: “Edhe unë dua gjithnjë një motor më të mirë. Nëse shoku im i skuadrës do të kishte provuar motorët Honda të së shkuarës do ta kuptonte se ky motor është më i lehtë për t’u drejtuar. Sido që të jetë, nëse dëshiron të kërkosh disa gjëra ndryshe nga të tjerët duhet të jesh mes të parëve. Ai duhet të renditet para meje. Skuadra merr gjithnjë sugjerime nga shoferi më i fortë”.