Finishi më dramatik i vitit – Mercedesi i kthehet fitoreve (VIDEO)

Formula 1 29 Prill 2018 15:18

Gara për Shpërblimin e Madh të Azerbajxhanit, ashtu siç edh pritej, qysh në rrethin e parë u ndërpre dhe në shteg u vendos regjimi i Automobilt të Sigurisë.

Në rrethin e parë të kësaj gare, gjegjësisht në katër kthesat e para u shkaktuan dy aksidente masive, në të cilat e Sirotkin dhe Ocon u detyruan të braktisin garën, kurse pesë ngasës të tjerë, përfshi Kimi Raikkonenin e Ferrarit patën kontakt me vozitës të tjerë dhe pësuan dëmtime të ndryshme në bolidët e tyre.

Gara kishte rrjedhë relativisht të qetë në pjesën e mbetur dhe Vettel ishte duke udhëhequr para Lewis Hamiltonit, Valtteri Bottasit dhe dyshes së Red Bullit Daniel Ricciardo dhe Max Verstappen.

Mirëpo, pas pit stopeve të dyta Verstappen ia mori Ricciardos pozitën e tretë. Ricciardo në tentim të kthehet në këtë pozitë, provoi ta tejkalojë kolegun e tij të ekipit në drejtëzën e start – finishit.

Aty ku shpejtësitë arrijnë mbi 300 km/h, Verstappen, fillimisht bllokoi trajektoren e jashtme, e më pas u mbrojt duke frenuar herët dhe Ricciardo nuk pati ku të shkojë, përpos të përplaset në kolegun e tij, duke bërë Red Bulli të mos marrë asnjë pikë në këtë garë dhe duke shkaktuar dëme milionëshe.

Në këtë kohë Bottas ishte i pari, sepse kishte vendosur që të shkojë në pit stop më vonë se të gjithë të tjerët. Po pas aksidentit, ai mori një pit stop “gratis” sepse u aktivizua për herë të dytë regjimi i Automobilit të Sigurisë dhe kjo mundësoi që Bottas të kryejë pit stopin dhe të mbetet i pari.
Vettel ishte “ngujuar” në pozitë ne dytë, në kohën kur ndalimet tejkaloheshin, Hamilton ishte i treti pasi dy shoferët e Red Bullit dolën nga shtegu dhe Kimi Raikkonen i katërti.

Sikur incidenti midis shoferëve të Red Bullit të mos mjaftonte, Romain Grosjean, u përplas për muri pa e prekur askush, pa e provokuar askush dhe pa asnjë problem në shteg. Prapa Automobilit të Sigurisë, bëri një gabim amator dhe gara për të përfundoi, duke e zgjatur edhe më shumë praninë e Automobilit të Sigurisë në shteg.

Shoferët u lejuan të garojnë njëri me tjetrin, në dy rrathët e fundit. Vettel tentoi të tejkalojë Bottasin, mirëpo, bëri një manovër të pamundshme të frenimit të vonshëm dhe kjo i kushtoi me rënie nga pozita e dytë në të katërtën. Më pas e humbi edhe këtë pozitë nga Sergio Perez.

Bottas po shkonte drjet fitores, kur pasi shkeli një pjesë metalike që nuk ishte pastruar nga shtegu, i shpërtheu goma e pasme e djathtë dhe mbeti pa fitore. Skenat e daljes nga shtegu të Bottasit thyen zemrat e gjithë adhuruesve të Mercedesit dhe të shoferit finlandez.

 

Pasi Vettel ra nga kreu, dhe Bottas u tërhoq nga gara, “mbeti” në Lewis Hamiltonin të udhëheqë garën dhe të shënojë fitore. I dyti përfundoi Kimi Raikkonen dhe Sergio Perez mori pozitën e tretë.