Fitoi titullin pas 26 vitesh, trajneri i Partizanit “shpërthen” në lot

Futboll 13 Maj 2019 10:12

Absolutisht arktiekti kryesor i suksesit të Partizanit, trajneri Skënder Gega, në përfundim të derbit të fituar ndaj Tiranës me rezultatin 2-1, që i dhuroi “Të Kuqve” në përparësi me 3 javë titullin kampion të 16-të pas pritjes së gjatë 26-vjeçare, ka rrëfyer se si gjithçka ka qenë e parashkruar për atë.

“Ishte ëndrra që më solli këtu. Nuk kam qenë kurrë më krenar dhe i lumtur. Këtë sukses ja dedikoj çdo njeriu që më ka mbështetur, familjes, Demit dhe Ramës, djemve. Janë mijëra emra që mund t’i falënderoj. Jam i lumtur që ia dolëm”, u shpreh mes entuziazmit Gega.

Trajneri i Partizanit ka një fjalë edhe për mosbesuesit dhe kritikët: “Çelësi i suksesit? Është festë dhe nuk dua të flas për probleme. I jap meritë ekipit, klubit, mbështetësve, kolegëve e gazetarëve. Kur erdha ka pasur paragjykime pa dashje. Ndjej keqardhje. Sot jam i lumtur dhe i falënderoj të gjithë ata që më kanë besuar”.

“Nuk më besohet që jemi kampionë. Çdo minutë që kalon do më pëlqejë më tepër për lodhjen e sakrificën, për familjen që ka qëndruar larg meje. Kam shumë miq që kanë jetuar me shqetësimin pranë meje. Janë edhe miqtë. Kam merita bashkë me çunat, por Gaz Demi është njeriu që më dha kurajo në momentet më të vështira. Kur të jem më i qetë do ndaj gjërat e mira, jo të këqijat”, deklaroi trajneri i Partizanit, Skënder Gega. /telesporti.al/

-->