Fitojnë Toronto dhe Denver, i afrohen finaleve të konferencave

Basketboll 08 Maj 2019 12:50

Janë zhvilluar dy ndeshjet e radhës në play offin e NBA.

Toronto Raptors kthejnë epërsinë në serinë gjysmëfinale të Lindjes në NBA, pasi shkatërruan 125-89 në ndeshjen e pestë Philadelphia 76ers dhe tani udhëheqin 3-2.

Një dominim absolut i skuadrës kanadeze, që pas një çereku të parë të barabartë, nisi shkëputjen, duke e mbyllur pjesën e parë me plot 21 pikë diferencën, 64-43.

Në pamundësi për të ngushtuar disavantazhin në çerekun e tretë, 76ers u dorëzuan në 12-minutëshin e fundit, ku shënuan vetëm 19 pikë.

Të gjithë lojtarët e pesëshes startuese të Raptors realizuan pikë dyshifrore. Më i miri ishte Pascal Siekam me 25 pikë, i ndjekur nga Kawhi Leonard me 21 pikë e 13 kërcime.

Fitore bindëse në sfidën e pestë të serisë gjysmfinale në Konferencën e Perëndimit edhe për Denver Nuggets, që mposhtën 124-98 Portland Trail Blazers, duke marrë epërsinë në 3-2.

Edhe në këtë përballje rezultoi vendimtar çereku i dytë, ku ekipi i Denverit e nisi të dominonte takimin. Nuggets triumfuan në sfidën e dytë radhazi, pas asaj humbjeje 140-137 pas katër kohëve shtesë në ndeshjen e tretë, që u mendua se mund të linte pasoja psikologjike.

Shkëlqeu në radhët e Denverit, Nikola Jokiq me 25 pikë si dhe Paul Millsap me 24 pikë. Për Blazzers nuk mjaftoi Damian Lillard, që e mbylli takimin me 22 pikë.