Fituesi i medaljes së artë olimpike, pozitiv në testin e koronavirusit

Sporte tjera 23 Mars 2020 23:48

Pandemia e koronavirusit po përhapet me shpejtësi të madhe në të gjithë botën. Një virus që nuk ka kursyer asnjë, përfshirë këtu edhe njerëzit që merren me sporte të ndryshme.

Në futboll janë të shumtë lojtarët dhe trajnerët që kanë rezultuar pozitiv e për këtë arsye futbolli është ndalur në të gjitha shtetet.

Koronavirusi nuk ka kursyer as notarët dhe i prekur i parë është Cameron van der Burgh nga Afrika e Jugut. Në faqen e tij në Twitter, 31-vjeçar zbulon se pas analizave ka rezultuar pozitiv.

“Shëndeti vjen para të gjithave. Convid-19 nuk është një shaka. Atletët do të vazhdojnë të stërviten pasi nuk ka sqarime në lidhje me Lojërat Olimpike dhe për këtë arsye e ekspozojnë veten ndaj rreziqeve të panevojshme”, shkruan ai.

“Ky është deri tani virusi më i vështirë me të cilin jam përballur përkundër se jam i shëndetshëm dhe kam mushkëri të forta”, ka thënë ai.

Ish-notari nga Afrika e Jugut e kishte fituar medaljen e artë në Lojërat Olimpike Londër 2012.

-->