Fjalimi emocional i LeBron James për Kobe Bryant

Basketboll 01 Shkurt 2020 12:19

Kobe Bryant, legjenda e basketbollit humbi jetën të dielën e kaluar kur helikopteri me të cilin po udhëtonte u rrëzua në Los Angeles. Së bashku me të po udhëtonin edhe tetë persona të tjerë, përfshirë vajzën e tij 13 vjeçare, Gianna.

Los Angeles Lakers, ekipi në të cilin Kobe luajti gjatë gjithë karrierës së tij në NBA, mbrëmjen e kaluar luajti ndeshjen e parë pas tragjedisë.

Para fillimit të ndeshjes, Lebron James e bëri një fjalim emocional për të gjithë të pranimisht në “Staples Center”.

Fjalimi i plotë i LeBron James:

“Para se t’ia nis fjalimit që e kam, dua t’i përmend të gjithë personat që i humbëm të dielën në mëngjes. Alyssa Altobelli. John Altobelli. Keri Altobelli, Payton Chester, Sarah Chester, Christina Mauser, Ara Zobayan, Gianna Bryant dhe Kobe Bryant”, filloi LeBron James.

“Tani, kam diçka të shkruar këtu. Ata më kërkuan të qëndroj në temë ose çfarëdo që duhet të them në këtë rast, por s’do të ishte e drejtë për ju tifozët e Lakers të lexoj nga kjo letër, kështu që do të flas nga zemra”.

“Gjëja e parë që më shkon në mendje është se familja është më e rëndësishmja. Përderisa po shikoj përreth, ne të gjithë jemi duke vuajtur. Jemi të gjithë të lënduar e zemërthyer. Kur kalon nëpër diçka të tillë, e gjitha që mund ta bësh është të mbështetësh te familja”.

“Nga e diela në mëngjes e deri tani… unë kisha dëgjuar për tifozët e Lakers para se të vija këtu se këtu të gjithë janë si një familje. Pikërisht këtë gjë e kam vërejtur këtë javë. Jo vetëm nga lojtarët e stafi i trajnerëve, klubi, por nga të gjithë. Të gjithë që janë këtu, kjo me të vërtetë është familje dhe unë e di se Kobe dhe Gianna dhe Vanessa dhe të gjithë janë mirënjohës nga thellësia e zemrës për këtë”.

“E di se do ta mbajmë një event të veçantë për ta përkujtuar Koben, por këtë sot e shoh si festë. Kjo është festë për 20 vjetët që Kobe i kaloi me gjak, djersë e lot, me trupin e shkatërruar, duke u ngritur e duke u ulur. Gjithçka. Orët e panumërueshme. Përkushtimi për t’u bërë versioni më i mirë i vetes”.

“Sot ne e festojmë djaloshin që erdhi këtu si 18-vjeçar, u pensionua në moshën 38-vjeçare dhe u bë babai më i mirë që e kemi parë në këto tre vjetët e fundit. Sot po festojmë. Para se të nisim të luajmë, dua të them se ju dua shumë”.

“Kobe është vëlla për mua dhe gjatë gjithë karrierës, mes të gjitha betejave që i kemi pasur, ne gjithmonë e kemi pasur të njëjtin përkushtim për të fituar. Dua të vazhdoj me bashkëlojtarët e tij ta mbajmë gjallë trashëgiminë e tij jo vetëm këtë vit, por për aq kohë sa të luajmë basketboll. Këtë do ta kishte dashur Kobe”.

“Në fjalët e Kobe Bryant “Mamba Out”. Por, në fjalët tona “S’do të të harrojmë kurrë, vëlla

-->