Flaka Loxha fiton medalje të bronztë në Evropianin U23

Sporte të tjera 05 Nëntor 2021 19:15

Xhudistja Flaka Loxha i ka siguruar medalje Kosovës në Kampionatin Evropian për grupmoshën U23, që po mbahet në Budapest të Hungarisë.

Flaka të premten garoi në kategorinë deri 57 kilogramë, ndërsa fitoi medalje të bronztë.

Për vend të tretë e mposhti turken Hasret Bozkurt.

Lufta ishte e fortë, ndërsa u vendos në kohën shtesë. Flaka fitoi me mbërthim.

Për xhudisten pejane është suksesi më i madh në karrierën e deritashme.

Flaka në xhiron e parë ishte e lirë. Në të dytën e mposhti zviceranen Olivia Gertsch. Më pas humbi nga francezja Ophelie Vellozzi. Në repesazh fillimisht e mposhti letonezen Anastasija Sokirjanska e më pas edhe turken.

Të premten në ditën e parë të Evropianit U23 kanë garuar edhe Erza Muminoviq e Laura Fazliu. Erza u ndal në raundin e parë të kategorisë deri 52 kilogramë. Humbi nga Yasmin Javadian e Britanisë së Madhe. Laura Fazliu në rrethin e parë të kategorisë deri 63 kilogramë ishte e lirë. Në raundin e dytë humbi nga ukrainasja Anastasiia Antipina.

Në Evropianin U23 në Budapest të Hungarisë garojnë edhe Arbër Kullashi në kategorinë deri 81 kilogramë dhe Shpati Zekaj në kategorinë deri 100 kilogramë. Dy xhudistët garojnë të shtunën.

-->