Florentino Perez parashikon me kë luan Real Madrid në gjysmëfinale

Futboll 10 Prill 2018 15:07

Presidenti i Real Madrid, Florentino Perez, është shfaqur në rolin e një orakulli, duke e parashikuar se më kë do t’i bie shorti ekipit madrilenë në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

Sipas Perez, as që vihet në pikëpyetje avancimi nga çerekfinalja tutje, pasi Real Madrid është shumë pranë kualifikimit në gjysmëfinale të Champions League, për shkak se në ndeshjen e parë çerekfinale javën e kaluar, e mposhti në Torino të Italisë, Juventusin me rezultatin e thellë 3-0.

Në një intervistë për “Gazzeta dello Sport”, presidenti i “Los Blancos”, Florentino Perez, ka deklaruar se pret që në gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve, skuadra madrilene do të ndeshet me gjermanët e Bayern Munchen.

Kurse, kur u pyet për një finale të mundshme Barcelona – Real Madrid, Perez tha: “E rëndësishme është që ne të shkojmë në finale. Mund të ndodhë që të ndeshemi me Barcelonën, pasi mendoj se në gjysmëfinale do të na bjerë Bayern Munchen, sepse kështu na ka rënë gjithmonë. Por, të eliminojmë Juventusin fillimisht”.

Në këtë intervistë, presidenti i Real Madrid, kishte vetëm fjalë të mira për yllin e skuadrës së tij, portugezin Cristiano Ronaldo.

“Është trashëgimtari i Di Stefanos dhe te ai pasqyrohen vlerat e Realit. Është golashënuesi ynë më i mirë në histori dhe përfaqëson talentin, punën, sakrificën, profesionalizmin dhe ambicien. Cristiano është sot simboli i Real Madrid”, deklaroi Florentino Perez. /Insporti.com

-->