Formula 1 humb një person të rëndësishëm

Formula 1 14 Mars 2019 14:47

Drejtori shumëvjeçar i garave të Formula 1, Charlie Whiting, ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm në Australi në moshën 66 vjeçare, raporton Anadolu Agency (AA).

Federata Ndërkombëtare Automobilistike (FIA) bëri të ditur se Whiting ka vdekur si pasojë e një embolie të papritur në mushkëri.

Vdekja e papritur e Whiting ndodhi në Melburn të Australisë, ku pas tri ditësh do të fillojë sezoni i ri i garave në Formula 1.

Njeriu i parë i FIA-s, Jean Todt, tha se ka humbur mikun e tij shumëvjeçar për të shtuar se vdekja e tij është një humbje e pariparueshme për Formula 1 dhe për sportin automobilistik në përgjithësi.

“Formula 1 ka humbur një mik të besueshëm dhe një ambasador karizmatik të saj”, tha Todt.

Whiting filloi karrierën në Formula 1 në vitin 1977 me ekipin Hasketh ndërsa funksionin e drejtorit e ka ushtruar që nga viti 1997.