Formula 1 në vitin 2020 me rekord garash  

Formula 1 29 Gusht 2019 14:06

Në Botërorin e vitit 2020 do të zhvillohen 22 gara në sportin e Formula 1, një rekord për këtë sport.

Sot, Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit (FIA) ka publikuar kalendarin provizor të garave të vitit 2020 dhe në të figurojnë 22 gara. Mes tyre edhe dy pista të reja: në Holandë dhe Vietnam, ndërkohë që nga kalendari i vitit tjetër është hequr gara e Gjermanisë.

Botërori 2020 do të nisë më 15 mars në Australi dhe do të përfundojë më 29 nëntor, në Abu Dhabi. Ky shtim i garave i ka çuar në 7 javët dyshe, ku garohet çdo fundjavë, pa një javë pushim.

Pistat e kombinuara për fundjavat dyshe janë: Australi/Bahrein; Holandë/Spanjë; Azerbajxhan/Kanada; Francë/Austri; Belgjikë/Itali; Singapor/Rusi dhe Amerikë/Meksikë.

Drejtuesit e Formula 1 shpresojnë që ky shtim i garave të jetë vetëm hapi i parë, pasi objektivi i tyre është të arrihet kuota e 24 pistave. Këtë sezon numri i garave është 21. Për momentin, kalendari i vitit 2020 është provizor dhe tani u takon skuadrave të japin mendimin e tyre deri në tetor për propozimet e bëra.