Foto e “mbarres” së madhe

Superliga 08 Tetor 2019 15:27

Leart Hoxha

Të shtunën e kaluar, asnjë vend dhe asnjë ndejë në Evropë nuk do ta ndërroja me Karagaçin dhe duelin ndërmjet Pejës dhe Sigal Prishtinës.

Një qytet i tërë duket se u ringjall rreth një klubi të basketbollit dhe një rivaliteti, që pas një ndërprerjeje, u kthye prapë dhe vazhdoi me po atë intensitet.

Karagaçi me mbi dy mijë shikues, i kishte munguar Kosovës si pamje televizive, kurse atyre që ishin të pranishëm në sallë, u kishte munguar emocioni që jep prania në atë arenë.

Mirëpo, në atë që ishte derbi mirë i organizuar dhe ngjarje shumë e lezetshme sportive, më duhet të ndalem në një pjesë, që nuk bën të kalohet pa u vërejtur, për shkak të të gjithë kolegëve dhe atyre që po e përcjellim këtë sport.

Në këtë derbi të madh, shihet Arbër Grabovci, veteran i sportit në Pejë dhe i gazetarisë së sportit, duke e mbuluar ndeshjen me dy karrige, njërën të kthyer mbrapsht, sepse nuk i është siguruar një tavolinë e punës.

Redaksia e Insportit nuk ka nevojë ti mësojë pejanët se si të trajtojnë Arbër Grabovcin për atë që është, por reagon për trajtimin e një gazetari të sportit për atë që ai përfaqëson.

Në këto kushte nuk mbulohet një derbi që luhet në 2019-ën dhe asnjë arsyetim nuk është i vlefshëm, apo i qëndrueshëm dhe ky veprim nuk quhet ndryshe pos turpshëm, apo për “mbarre”, qysh kanë qejf me thanë në Pejë.

Është “rastësi” që pikërisht në Pejë, edhe një koleg tjetër i yni, ishte detyruar të punojë më mënyrë të ngjashme.

Fundja, trajtimi i gazetarëve nga ana e klubeve të sportit, më shumë flet për klubet sesa për gazetarët, meqë Arbëri e shoqëria me këtë zanat janë marrë edhe në kushte më të zorshme, por ku po mbetet “mbarrja” këtu pastaj?