Franca fiton Botërorin ku Kosova bëri histori

Kombëtarja 28 Korrik 2019 18:55

Franca ka fituar kampionatin botëror të juniorëve në hendboll. Të dielen në finale, Franca fitoi ndaj Kroacisë me rezultat 28:23. Finalja u luajt në Vigo në një atmosferë të bukur sportive.

Ky botëror është historik për vendin tonë, pasi për herë të parë një ekip kombëtar i Kosovës në sportet ekipore mori pjesë në ngjarjen më të madhe.

Kombëtarja e Kosovës paraqitjen më të mirë e kishte në ndeshjen e parë, ndaj finalistit, Kroacisë.

Ndonëse humbi, u mbajt në lojë deri në fund dhe paraqitja e kombëtares kosovare u vlerësua nga IHF-ja si impresive.

Më pas erdhën humbjet nga Hungaria, Portugalia dhe Brazili, kurse me Bahrejnin u fitua pika e parë. Për plasman Kosova u mund nga Argjentina dhe në fund mposhti bindshëm Australinë.

Vendi i tretë në botëror i takoi Egjiptit që mposhti Portugalinë me rezultat 37:27. Dy kundërshtarë shkuan deri në gjysmëfinale që dëshmon se në çfarë grupi të fortë ishte Kosova.

Kroati Ivan Martinoviq u shpall MVP i kampionatit.