“Fshesë” në Cleveland në afat kalimtar

Basketboll 06 Shkurt 2018 14:31

Deri në përfundim të afatit të transfereve të NBA kanë mbetur edhe dy ditë dhe ekipi për të cilin mbretëron interesimi më i madh është Cleveland Cavaliers.

Pjesërisht si pasojë e lëndimeve, por edhe lojës shumë të dobët në mbrojtje, Cleveland është duke rrëshqitur në radhitje në NBA dhe në fundjavë ka pasur shumë spekulime se do të shkarkohet trajneri Tyronn Lue dhe që LeBron James do të kalojë në Golden State Warriors.

Sidoqoftë, tani për tani ky klub do të mbajë Jamesin dhe Luen në ekip , por duket se janë pesë lojtarë nga përbërja aktuale që mund të këmbehen , shiten ose hiqen nga ekipi.

Tristan Thompson, JR Smith, Isaiah Thomas, Channing Frye, Iman Shumpert, janë pesë prej emrave që përmenden nga mediat amerikane që Cleveland mund ti këmbejë, nëse ka oferta të mira ose lojtarë në treg që mund të përmirësojnë gjendjen aktuale.

Nga të cekurit më lart, Frye mund të mbetet në ekip për shkak të lëndimit të Kevin Love dhe mungesës së një lojtari të gjatë që gjuan nga perimetri në sulm.

Këmbimet e mëdha të lojtarëve, zakonisht ndodhin në ditën e fundit të afatit  dhe përveç lojtarëve aktualë, zakonisht përfshijnë edhe të drejtat për lojtarët e ardhshëm që ekipi përkatës do të marrë në draft. /Insporti.com

-->