FSHF do t’i transmetojë ndeshjet në faqen zyrtare

Futboll 13 Qershor 2020 23:13

FSHF-ja ka vendosur bllokimin e transmetimit të ndeshjeve të javës së 29-ë të Kategorisë Superiore dhe takimeve të Kupës së Shqipërisë nga platforma “Digitalb”.

Ky vendim ekstrem i organinit më të lartë të futbollit në vend vjen pasi sipas FSHF-së, “Digitalb” nuk ka dhënë asnjë përgjigje për shlyerjen e borxhit të akumuluar.

Nëpërmjet një njoftimi në faqen zyrtare, FSHF sqaron gjithë sportdashësit se ndeshjet do të transmetohen pa pagesë në faqen zyrtare të FSHF, duke konfirmuar kështu krisjen me platformën televizive.

Njoftimi i FSHF-së:

Federata Shqiptare e Futbollit dëshiron të sqarojë opinionin publik lidhur me çështjen e transmetimit të ndeshjeve te Kategorisë Superiore. Duke filluar nga ndeshja e ditës së diel, datë 14.06.2020 mes Partizanit dhe Luftëtarit, FSHF ka vendosur pezullimin e transmetimit te ndeshjeve te javës së 29-të të Kampionatit Kombëtar të Futbollit dhe ndeshjet e Kupës së Shqipërisë nga shoqëria “Digitalb”.

Ky vendim vjen si pasojë e neglizhencës kontraktore nga ana e subjektit të licencuar për zbatimin e kushteve të dakordësuara në kontratë dhe ezaurimit të të gjitha hapave të nevojshme ligjore. Më konkretisht, përmes njoftimeve Nr. 725 Prot. datë 17.05.2019, Nr.1099 Prot. datë 02.09.2019 dhe Nr.337 Prot. datë 09.03.2020 me lëndë “Përmbushje detyrimi” FSHF ka kërkuar pagimin e shumës së akumuluar si pasojë e mospagesës, por pa pasur asnjë përgjigje zyrtare nga ana e “Digitalb”.

Pavarësisht sa më sipër, duke mos dashur “black-out”-in e aktivitetit futbollistik FSHF ka propozuar më datë 04.06.2020 një skedul pagesash për të amortizuar borxhin duke vendosur një afat të arsyeshëm për pagimin e tyre. Me kalimin e këtij afati dhe në mungesë të një përgjigje zyrtare, FSHF njofton me keqardhje se është e detyruar të pezullojë transmetimin për “Digitalb”. Pa paragjykuar hapat e nevojshëm ligjor, ky ndalim i transmetimit do të vijojë deri në përmbushjen e detyrimeve kontraktore.

FSHF dëshiron të nënvizojë se borxhi i akumuluar është i konsiderueshëm dhe se në kushtet kur këto janë të ardhura të drejtpërdrejta të klubeve anëtare, të cilat privohen padrejtësisht prej tyre, aq më shumë në situatën e vështire ekonomike të shkaktuar nga përhapja e COVID-19.

Sakaq, krahas përpjekjeve për kapërcimin e kësaj situate, FSHF ka marrë përsipër kostot për transmetimin e ndeshjeve në faqen e saj zyrtare në internet www.fshf.org pa pagesë në mënyrë që futbolldashësit shqiptarë të mos humbasin mundësinë për të ndjekur skuadrat e tyre të zemrës.

-->