FSHF nuk “mbushet mend” pas reagimit të Salihut, ja çka deklaron Alban Bushi

Futboll 25 Mars 2018 12:40

Deklarimi i Eroll Salihut, Sekretarit të Përgjithshëm të Federatës së Futbollit të Kosovës, lidhur me pohime te Christian Panuccit, selektorit të kombëtares së Shqipërisë, shpërfaqi edhe një herë tensionet që tashmë ekzistojnë ndërmjet dy federatave lidhur me lojtarët që kanë të drejtë të luajnë për të dyja ekipet kombëtare.

Mirëpo, pak pasi deklarimi i Salihut u bë publik dhe bëri xhiron e medieve shqiptare, rreth kësaj teme u deklarua edhe Alban Bushi, selektori i kombëtares U21 të Shqipërisë.

Për çështjen e talenteve që kanë zgjedhur Kosovën, Bushi akuzoi prindërit e këtyre fëmijëve, që bëjnë si atdhetarë të mëdhenj, por të nesërmen nuk të hapin telefonin.

“Ju nuk e keni idenë çfarë bën Federata për t’i marrë këto lojtarë. Ne nuk i marrim dot me zor. Shkojmë atje, i themi, dhe na përgjigjen se do të vijnë. Por, të nesërmen nuk të hapin telefonin. Prindi i tij, që bëjnë edhe si atdhetarë të mëdhenj. Federata nuk ka ç’të bëjë më shumë. Trajneri i ekipit A, unë, kemi shkuar 2-3 herë. Na janë përgjigjur se do vijnë, e të nesërmen nuk të hapin telefonin. Sinani ishte në planet tona, por i pikoi zemra për Kosovën. Zhegrovën e kam marrë në telefon para 3 muajsh, kam folur me të që ta afroj tek U-21, më tha prit, por nuk erdhi. Trajneri Panucci e kontaktoi, por nuk erdhi. Por, në fund, lojtarët zgjedhin të shkojnë ku të duan” pohoi Bushi në konferencë për media.

-->