Fundi i sezonit dhe fundi i një epoke

Formula 1 25 Nëntor 2018 16:00

Gara për Shpërblimin e Madh të Abu Dhabit në Formula 1 është ndërprerë për shkak të një aksidenti shumë të rëndë që ka ndodhur në rrethin e parë.

Shoferi i ekipit Renault Nico Hulkenberg doli nga shtegu dhe me shpejtësi të madhe bolidi i tij u përplas për barriere, por fatmirësisht shpëtoi pa lëndime edhe pse bolidi në disa pjesë të tij u përfshi edhe nga flakët.

Por në saje të intervenimit të shpejtë të kujdestarëve të shtegut, por edhe sigurisë së madhe që e kanë bolidët modern, Hulkenberg shpëtoi, kurse gara iu kthye normales pas vetëm disa rrathëve të kaluara prapa Automobilit të Sigurisë.

Pikërisht në kohën e Automobilit të Sigurisë, Leëis Hamilton pati kohë të kryejë një pit stop të shepjtë dhe me gomat që i vendosi në fillim e ndryshoi taktikën dhe kjo ia mundësoi që të udhëheqë pa problem në garë, që nga fillimi deri në fund.

Hamilton shënoi fitore, kurse prapa tij përfunduan Vettel e Verstappen në podium, e Ricciardo, Bottas, Sainz, Leclerc, Perez, Grosjean dhe Magnussen në zonën e pikëve.

Kjo ishte e fundit në Formula 1 e Fernando Alonsos, kampionit të dyfishtë në Formula 1 dhe njërit nga shoferët më të mirë në histori, transmeton Insporti nga vlerësimet që bëhen në mediat angleze.

Alonso kishte bërë karrierë të shkëlqyeshme në dekadën e kaluar, duke u bërë kampion më 2005 dhe 2006 si shofer i ekipit Renault dhe duke përfunduar vetëm një pikë prapa kampionit të vitit 2007, Kimi Raikkonenit të Ferrarit.

Mirëpo, që nga ai sezon  tutje, për një dekadë të tërë karriera e Alonsos ka qenë një tregim i gjatë i një shoferi i cili nxjerr më shumë se maksimumin nga bolidi i tij, por kjo nuk i mjafton për të fituar titullin e botës, madje kohëve të fundit nuk i mjaftonte as për tu ngjitur në podium të ndonjë gare.

Spanjolli kishte disa vite në Ferrari kur e rivalizoi Sebastian Vettelin, i cili fitoi katër tituj me Red Bullin, kurse adhuruesve të Formulës 1 u kujtohet viti 2009 dhe mënyra se si Alonso u ngujua prapa rusit Vitali Petrov dhe pikërisht në Abu Dhabi e humbi titullin, kujton Insporti.