Fundjava me festën e madhe automobilistike – gjithçka gati për Drag Race III

Motosport 29 Korrik 2021 17:39

Gara më e madhe në automobilizmin kosovar mbahet në këtë fundjavë, në pistën e vjetër të aeroportit në Sllatinë. Drag Race III ka zgjuar interesim të madh si në radhët e pjesëmarrësve, ashtu edhe tek dashamirët e shpejtësisë.

Prania e mërgimtarëve tanë, të cilët aktualisht janë në Kosovë, por edhe i garuesve vendorë dhe atyre nga vendet e rajonit, ka bërë që numri i pjesëmarrësve të jetë i madh, ndërkohë që AK Eurogoma RT në bashkëpunim me Federatën e Auto Sportit të Kosovës (FASK) dhe institucionet tjera i kanë bërë të gjitha përgatitjet e duhura në mënyrë që gara të ketë rrjedhë sa më të mirë.

Gjithçka nis të shtunën në orën 09:00 kur në pikën e karburantit “Shell” në Sllatinë fillon paraqitja në garë dhe pajisja me numra startues, procedurë kjo që vazhdon deri në orën 10:30. Në intervalin kohor 09:00 – 11:30, në të njëjtin vend bëhet edhe verifikimi i dokumentacionit dhe kontrolli teknik i veturave.

Në orën 12:00 nisin lëshimet e lira, ndërsa 40 minuta më pas është brifingu me garues.

Në orën 13:00 fillojnë kualifikimet në të cilat garuesve do t’u matet koha dhe do të përcaktohen klasat, ndërsa 15 minuta pas përfundimit të tyre fillojnë garat për klasat 16, 15, 14 dhe 13.

Spektakli i madh sigurisht do të ndodhë të dielën. Pas brifingut me garues (10:00 – 10:45), në orën 11:00 vazhdojnë garat në klasat 12,11, 10, 9…

Publikimi i rezultateve bëhet 30 minuta pas përfundimit të garës, ndërsa gjithçka mbyllet me ceremoninë e ndarjes së çmimeve.

Me shikues, e pa bileta

Për dallim nga viti i kaluar dhe dy garat e para të këtij viti, Drag Race III do të zhvillohet me praninë e shikuesve. Për këtë arsye Eurogoma Racing Team dhe FASK kane vendosur që në Drag Race III hyrja të jetë pa bileta dhe do të paguhet vetëm parkingu i veturës që do të kushtojë 1 euro.

-->