Futbolli i femrave apo i grave? Kjo është çështja

Futboll 16 Prill 2022 17:17

Ju mund të mos e dini se çfarë e bën të famshëm citimin e Shekspirit: “Të jesh, apo të mos jesh”, por mund ta dini që t’iu referohemi grave me termin “femër” është ofenduese.

Dallimi mes seksit dhe gjinisë

Seksi dhe gjinia janë të ndryshme, dhe është thelbësore të kuptohet pse!

Seksi dhe gjinia shpesh përdoren në mënyrë të ndërsjellë, pavarësisht se kanë kuptime të ndryshme. Fjala femër e përcjell një kuptim tërësisht biologjik që kufizohet me përkatësitë riprodhuese të një qenie; çka mund të jetë edhe një lule, shpend a kafshë. Është pikërisht fjala grua, e cila bën dallimin mbi përkatësinë njerëzore dhe sociale.

Në këtë rast, a duhet që futbollit të grave/vajzave t’i referohemi me “Futbolli i femrave”?

Lidhur me këtë çështje, Insajderi kontaktoi me drejtoreshen Ekzekutive në Qendrën Kosovare për Studime Gjinore, Lulejta Demollin, sipas të cilës krejt kjo po ndodh për shkak të mosrregullimit të këtyre termave në Kushtetutën e Kosovës.

“Diçka që ka mbetë pa u rregullu është që në kushtetutën e Kosovës në vend të femrave me u bë vajza dhe gra. Është seksiste me iu thënë femra, sepse bazohet në seks dhe jo në gjini, por problemi është se nuk ka ndryshu kushtetuta. Por kjo nuk është e rastësishme. E kemi pas që ka pak gra që janë në struktura të Federatës, prandaj mossocializimi me gra, pjesëmarrja e grave në vendimmarrje i shohin këta krerë si diçka sikur të jashtme “femra” është diçka më poshtë. Unë konsideroj që është seksite dhe i kategorizon më poshtë, ato janë vajza dhe gra” – tha Demolli për Insadjerin.

Për Insajderin nga Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion, “QIKA” poashtu thanë se termi “femra” redukton vajzat dhe gratë vetëm në limite të seksit biologjik.

“Në thelb, problemi fillimisht qëndron te termi “i femrave”. Kjo për shkak se ky term redukton vajzat dhe gratë vetëm në limite të seksit biologjik. Pra, në rast se duam të specifikojmë se është futboll i tillë, duhet t’i referohemi si “futboll i vajzave/grave”. Normalisht se duhet të rritet vetëdijësimi për këtë çështje”.

Në Kosovë, nuk ka futboll të grave, ka futboll të “femrave”.

“Karin Anneli Andersen përzgjedhëse e re e Kosovës në konkurrencën e femrave”, “Kombëtarja A e femrave arriti në Bruksel”, “Kombëtarja e femrave në kamp përgatitor” – janë vetëm disa nga titujt e Federatës së Futbollit të Kosovës.

Madje, Federata e Futbollit të Kosovës e ka edhe kategorinë, “Kombëtarja A – Femrat”.

Edhe kreu i Federatës së Futbollit, i cili u rizgjodh në krye të FFK-së edhe për një mandat 4 vjeçar, futbollit të grave/vajzave iu referua me futbolli i femrave, të cilin tha se do ta ketë prioritet.

/Insajderi.org

-->